Hetimet për vrasjen e 44-vjeçarit italian Edoardo Sarchi, i gjetur i pajetë në afërsi të fshatit Salari në Tepelenë, kanë marrë një tjetër drejtim pas ekspertizës mjeko-ligjore dhe kapjes së një personi kyç.
Raportohet se viktima ka humbur jetën si pasojë e një goditjeje të fortë në kokë, që i ka shkaktuar gjakderdhje fatale. Kjo hedh poshtë versionin e dhënë më herët nga ortaku i tij, Eqerem Braçi, i cili pretendonte se një person i panjohur kishte hapur zjarr ndaj makinës së italianit dhe se viktima ishte plagosur gjatë tentativës për t’u larguar.
Ndërsa Braçi pretendonte për një sulm me armë, ekspertiza teknike nuk gjeti asnjë gjurmë plumbi në automjetin e Sarchit, përveç një gome të shfryrë. Kjo, së bashku me vendndodhjen e plagës fatale në kokën e viktimës, ka ngritur dyshime serioze mbi vërtetësinë e dëshmisë së tij.
Ndërkohë, policia ka ndaluar Gazment Braçin, djalin e Eqerem Braçit, i cili më herët ishte shpallur në kërkim. Ai dyshohet se ka qenë i pranishëm në vendngjarje dhe aktualisht po merret në pyetje nga autoritetet.
Bazuar në të dhënat më të fundit, pista kryesore e hetimit po zhvendoset drejt një konflikti të mundshëm mes ortakëve të fabrikës së tullave, që Sarchi dhe Braçi kishin në Tiranë.