Deklaratat e bëra një ditë më parë për një zhvillim të mundshëm në historinë e Bleona Matës kanë sjellë reagimin e avokatit të familjes së saj, Idajet Beqiri. Ai ka kundërshtuar pretendimin se është lokalizuar vajza e zhdukur prej 16 vitesh dhe se ajo jeton me një familje adoptuese në Greqi.

Avokati Alban Duraj kishte deklaruar në emisionin “Breaking me Fiori Dardha” se vendndodhja e Bleonës tashmë dihet. Sipas pretendimit të tij, ajo është sot 22 vjeçe, studente me rezultate të shkëlqyera dhe është birësuar nga një çift grek.

Por Beqiri, i cili përfaqëson nënën e Bleonës, i hodhi poshtë këto pretendime gjatë një lidhjeje me “Shqipëria Live”. Ai tha se Duraj nuk është i përfshirë në këtë çështje dhe e konsideroi daljen e tij publike të nxituar dhe problematike.

“Jo vetëm që është e papërgjegjshme, por krijon probleme ligjore, e hedh organin e akuzës në një drejtim që nuk duhet të shkojë. Gjithashtu ka probleme të rënda me familjen, nënën e Bleonës, njerëzit e tjerë të dashur, vëllain e saj. Ua ngacmon plagën padrejtësisht. Ky person nuk ka lidhje, nuk e di pse është futur këtu”, deklaroi Beqiri.

Sipas tij, nëna e Bleonës, Bukurie Mata, është përballur vazhdimisht gjatë viteve me versione dhe teori të ndryshme rreth fatit të së bijës. Beqiri tha se në rrjetet sociale janë përhapur pretendime nga më të ndryshmet, nga martesa e mundshme e Bleonës deri te adoptimi apo gjetja e saj në vende të ndryshme.

“Dikush thotë është martuar këtu, dikush e gjetëm këtu, dikush thotë është adoptuar. Ka plot teori. Me dhimbje i pret të gjitha, edhe këtë deklaratë, por e di që është një gënjeshtër, mashtrim i madh”, u shpreh ai.

I pyetur nëse kishte dijeni për identitetin e vajzës së cilës i referohej Duraj, Beqiri tha se informacioni nuk ka lidhje me Bleona Matën dhe e cilësoi atë një sajesë. Ai shkoi më tej duke pretenduar se deklarata mund të ketë edhe pasoja ligjore.

“Madje është vepër penale. Nuk dua të flas shumë për të, komuniteti jonë ka lloj-lloj njerëzish. U bë vetting gjithandej, por duhet bërë dhe brenda avokatëve. Çfarë nuk po dëgjojmë”, tha Beqiri.

Avokati ngriti shqetësime edhe për mënyrën se si është trajtuar ndër vite dosja e zhdukjes së Bleona Matës. Sipas tij, çështja ka kaluar mes institucioneve të ndryshme pa arritur në një rezultat konkret, ndërsa aktualisht hetimet janë të pezulluara.

“Është si puna e kungulleshkës, një herë e merr çështjen Prokuroria e Kukësit dhe e ndalon, e dërgon te Policia. Kjo e merr dhe e kthen sërish te Prokuroria që më pas ia dërgon SPAK. SPAK nuk bën gjë. Momentalisht është çështje e ‘vdekur’, është e pezulluar, nuk ka ndonjë gjë konkrete në drejtimin e duhur”, deklaroi ai.

Beqiri e cilësoi të rëndë faktin që, 16 vjet pas zhdukjes së Bleonës, familja vazhdon të mos ketë një përgjigje përfundimtare mbi fatin e saj.