Këtë të hënë, në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, po shqyrtohet Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, një nismë e deputetëve, Aulona Bylykbashi dhe Admir Kadeli.
Dy deputetët socialistë, të hyrë rishtazi në Kuvend dhe që nuk u dihet ende se çfarë përfaqësojnë politikisht, po ndajnë qasjen e tyre, për një ndryshim në pagat e magjistratëve.
Siç u theksua gjatë seancës, bëhet fjalë për ndryshim me një shtesë të përllogaritur që ka si objektiv magjistratët dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushetuese, që në thelb, nuk është gjë tjetër veçse favorizim dhe “futje në thes” e institucionit nga mazhoranca, që gjykon çështje dhe merr vendime për zyrtarë të lartë, përfshirë edhe kryebashkiakun e arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj.
“Bazuar në nenin 32 të Kushtetutës, kërkohet që të merret për një nismë joqeveritare opinioni i Këshillit të Ministrave. Ne i jemi drejtuar dhe janë të kalkuluara efektet financiare. Efekti i rritjes nuk lidhet vetëm me koeficientin.
Paga reale që do të marrin magjistratët ka edhe elementët e tjerë për atë që quhet paga bruto si efekt real. Rritja mesatarisht është 5.6% sepse pagat ndryshojnë edhe sipas hierarkisë së gjykatave.
Sa i përket shtesës prej 5%, është element i veçantë i pagës, se lidhet me përgjegjësitë institucionale të projektligjit të propozuar.
Ky koeficient çon në një rritje që ndikon, duke u shkuar për shtat magjistratëve, integritetit të funksionit dhe efektit financiar me këtë koeficient do të përkthehet në ndikim të përgjithshëm në buxhetin e shtetit dhe plotëson tërësisht kërkesat e Gjykatës Kushtetuese”,-tha deputetja./CNA
