Ka një kod të pashkruar në botën e call center-ave mashtruese. Ata kurrë nuk të prezantojnë me emrin e vërtetë. Joshin me garancinë “sa më shumë investon, aq më shumë fiton”.
Më të thjeshtat janë mesazhet-grackë, ku hakerat financiarë u prezantuan si Posta Shqiptare, por në të vërtetë ishte një faqe false, tek e cila, kur shkruan pranimin e një blerjeje online, sapo i ke dhuruar një krimineli kibernetik të dhënat personale dhe të kartës bankare.
Nga kjo skemë mashtrimi financiar rezultoi se dy shtetas kinezë u kishin dërguar 10 mijë mesazhe qytetarëve shqiptarë, shumë prej të cilëve u mashtruan.
Mijëra shqiptarëve të tjerë u mbërriti një mesazh në telefon nga mashtrues virtualë financiarë, të cilët vetdeklarohen si policia rrugore, tek e cila paguhet gjoba online.
Në një intervistë për “Exclusive” me gazetaren Anila Hoxha, Klodian Bilushi, shef për hetimin e krimeve kibernetike thotë: “Ata ndërtuan një faqe të ngjashme me policinë e shtetit dhe kërkonin të japim të dhënat.”
Përmes teknologjisë që ofron lehtësira, jetohet në fakt në hapësirën mes reales dhe virtuales, në një botë dixhitale ku një klikim i gabuar, si dhe aplikacionet e kthyer shpesh në armë të re moderne, rrezikojnë të të rrëmbejnë gjithçka, duke nisur nga privatësia tek llogaria bankare. Dhe kur ky krim nuk ka fytyrë, incidentet e shpeshta online e kthejnë jetën tonë në një hapësirë ku viktimat dhe autorët bashkëjetojnë pa e njohur njëri-tjetrin.
Harta dixhitale 2026 e Iniciativës Globale kundër krimit transnacional përfshin Shqipërinë mes dhjetra vendeve ku janë instaluar qendrat mashtruese, ndryshe call center-at, një industri që, duke gjunjëzuar jetë njerëzish, mbush portofolët e keqbërësve. Vetëm për një vit, policia kryesoi 12 operacione dhe arrestoi 89 të dyshuar për mashtrim kompjuterik, punësim të paligjshëm dhe fshehje të ardhurash. Në këtë shifër nuk llogariten ata të dyshuar të hetuar si grup kriminal.
Të gjitha këto ndërtesa që po ndiqni në këto momente janë vendet e përdorura si baza ku u zbuluan call center-at mashtruese. Nga kompjuterët e instaluar në një shtëpi, në një zyrë të përshtatur si punishte telefonash, kudo nga Shqipëria apo nga vende të tjera të Ballkanit aktivizoheshin skuadra të rinjsh, njohur si operatorë.
Ai flet gjuhën e viktimës. Detyra e tij është që përmes një reklame premtuese të biesh në grackën, nga e cila grabitesh. Motoja e tyre është: “Po nuk ja mora unë paratë, dikush tjetër do ja marrë.”
Emri i tij virtual, me të cilin prezantohej, është Maks. Në jetën reale, është ende një i dënuar me kusht nga gjykata e Tiranës për akuzën e mashtrimit kompjuterik. Sot është i papunë dhe i penduar. Puna e tij zgjati katër muaj, deri ditën kur u arrestua.
Një i ri thotë: “Unë jam nga Tirana, prej dhjetë vitesh kam qenë emigrant në Itali, dhe vendosa të kthehem në Shqipëri. Shikoj një njoftim online, ku bëhej fjalë për një call center, kontaktova, më kthyen përgjigje shumë shpejt. Më thirrën për intervistë, që ishte shumë e shkurtër, zgjati pak fare, dhe më morën direkt në punë. Më ofruan trajnim pesë ditor. Në fillim mu duk krejt normale, më pranuan me rrogë shumë të mirë dhe vendosa, pse jo. Puna ishte që do flisja me njerëz të tjerë, na jepnin një listë me disa emra dhe mbiemra personash. Lista ishte shumë e gjatë, nuk do lodhesh, thanë, do përfitoni bonuse.”
