Një 19-vjeçar shqiptar është dënuar në Britaninë e Madhe pasi tentoi të importonte armë zjarri nga SHBA dhe rezultoi i përfshirë edhe në aktivitet kriminal me drogë.
Bëhet fjalë për Henri Nikollin, i cili u dënua me 6 vite e 3 muaj burg nga drejtësia britanike. Sipas hetimeve, i riu kishte porositur nga SHBA një paketë të maskuar si “kit trajnimi për qen”, por që në fakt përmbante një pistoletë 9 mm dhe pajisje për armë zjarri. Paketa u zbulua nga autoritetet amerikane dhe u bllokua.
Nikolli u arrestua në prill 2025 në Hertfordshire, ndërsa kontrolli në banesën e tij zbuloi një arsenal të rrezikshëm: tre armë zjarri antike të modifikuara për municione moderne; municione dhe mjete për përshtatjen e armëve dhe thika dhe pajisje të tjera të rrezikshme.
Po ashtu, në banesë u zbulua edhe një “shtëpi bari”, me pajisje për kultivimin e kanabisit, si dhe sasi droge të gatshme për shpërndarje. Prokuroria argumentoi se 19-vjeçari kishte krijuar një aktivitet të organizuar kriminal, duke përdorur armët për të mbështetur tregtinë e drogës dhe duke rrezikuar seriozisht sigurinë publike. Hetuesit shtuan se ai kishte njohuri të avancuara për modifikimin dhe përdorimin e armëve, ndërsa në pajisjet e tij u gjetën edhe video ku armët testoheshin në ambiente publike.
Autoritetet britanike deklaruan se dënimi i tij është një goditje ndaj krimit të organizuar dhe një mesazh i qartë për këdo që përfshihet në trafik armësh dhe drogë.


