Eksperti IT, Besmir Semanaj foli sot në emisionin “Breaking” në Top News, në lidhje me mosfunksionimin e portalin online të shërbimeve “e-Albania”.

Sipas ekspertit, problemi teknik qëndron tek sistemi i gjendjes civile dhe kjo ka sjellë bllokim dhe të shërbimeve të tjera. Megjithatë, Semanaj shtoi se problemet kanë lidhje dhe me hetimi ne SPAK mbi AKSHI-n dhe kompanitë e lidhura me skandalin e tenderave.

“Në pamje të parë duket problem teknik, sepse që në fillim të javës janë shfaqur probleme. Ditën e hënë ishte faqja e AKSHI-t dhe disa faqe të thera interneti nuk funksiononin. Pastaj kemi patur ankesa nga qytetarët që nuk merrnin dot shërbime të ndryshme. Nga ajo çfarë kam mësuar kemi të bëjmë me një problem të sistemit të gjendjes civile, pasi e-Albania është nyja lidhëse e këtyre sistemeve. Kjo ka shkaktuar problemë dhe në sistemet e tjera. Përgjegjësi duhet të mbajnë ata që janë në arrest shtëpie, pra drejtuesit e AKSHI-t.

Sigurisht që ka lidhje me hetimi ne SPAK. Drejtuesit kanë deleguar detyrat por nuk kanë dhënë dorëheqjen. Kemi administratorë dhe drejtuesit e kompanive kryesore që japin mbështetje tek AKSHI që janë në kërkim. Pra kemi bllokime totale të këtij sistemi. Nuk e di kush do kujdeset për këtë gjendje, është gjendje kritike. Do duhej që të kishte emërime të drejtuesve të rinj. Problemet do vazhdojnë sepse ankesat vazhdojnë. Po ashtu, nuk kemi asnjë reagim nga institucioni, madje as një shpjegim se çfarë është problemi dhe sa do zgjasë, apo nëse po punohet për zgjidhjen.”– tha ai.