Seanca plenare e Kuvendit u mbyll para përfundimit të rendit të ditës, pasi tensionet dhe bllokimi i foltores nga deputetët e opozitës pamundësuan zhvillimin normal të punimeve. Si pasojë, Avokati i Popullit, Endrit Shabani, nuk arriti të paraqesë raportin e institucionit që drejton. Kryesuesi i seancës, Niko Peleshi, pas propozimit të kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, vendosi shtyrjen e pikave të mbetura për mbledhjen e së enjtes, duke argumentuar se rendi i ditës nuk mund të ndryshohet nën presion.

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi, pati deklaruar se seanca mund të vijonte duke anashkaluar raportimin e Shabanit dhe vijuar me titullarët e tjerë të institucioneve, propozim që nuk u pranua.

“Është e vërtetë që rendin e ditës e bën kryetari, por nuk mund të vendosim pas shtatë orësh ta ndryshojmë nën presionin e zënies së foltores. Ky precedent nuk i vlen askujt. Si mund të bllokosh kuvendin kur nuk të pëlqen një drejtues institucioni. Nuk e vendosim ne nëse ai është i ligjshëm apo jo, e vendos gjykata dhe ju shumë mirë keni bërë që e keni çuar atje. Nuk ka asnjë vendim pezullimi, do të shqyrtohet në shtator dhe derisa të ketë një vendim, këto janë vetëm mendime personale të një grupi të caktuar. Rendi i ditës nuk ndryshohet gjatë ditës. Unë e marr si të bazuar në rregullore mbylljen e seancës dhe shtyrjen e pikave të mbetura në seancën e radhës. E hedh për votim. Kuvendin po e mbani ju peng, duke zënë foltoren dhe duke penguar raportimin e Avokatit të Popullit. 76 pro, 25 kundër, miratohet propozimi i shtyrjes, shihemi të enjten. Mbyllet seanca”, u shpreh Peleshi.