Kompania “2A Group” ka reaguar publikisht lidhur me zhvillimet gjyqësore që kanë të bëjnë me administrimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke ngritur akuza për atë që e cilëson si “anomali të paprecedentë ligjore” dhe cenim të procesit të rregullt gjyqësor. Sipas kompanisë, vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë, i marrë ditët e fundit, ka sjellë një situatë të pazakontë në raport me një praktikë të mëparshme gjyqësore, duke krijuar, sipas tyre, paqartësi në trajtimin e çështjes.

Gjykata e Lartë prishi vendimin që kishte pezulluar të drejtën e votës dhe të drejtat e tjera të shoqërisë “Mabco” në kompaninë Vlora International Airport. Ky vendim është ndryshe nga ai i Gjykatës së Tiranës, i Dhomës Civile dhe Apelit të Përgjithshëm në Tiranë. Tre gjyqtarët e lartë, të cilët morën në shqyrtim çështjen me bazë rekursin e Mabcos, vlerësuan të rrëzojnë kërkesën e VIA dhe “2A Group” për marrjen e masës së sigurimit ndaj kësaj të fundit.

Kompania “2A Group”, si rezultat i përplasjeve me kompaninë Mabco që lidhen me pretendimet për kuotat në kompaninë VIA, kërkon në Gjykatë përjashtimin e kësaj të fundit dhe, deri në daljen me një vendim për këtë kërkesë, bllokimin e të drejtës së votës së Mabcos. Në reagim, kompania pretendon se në këto vendime është konfirmuar rreziku për një aset strategjik, në lidhje me pretendime për përfshirje të strukturave dhe detyrimeve “offshore”.

Ndërkohë, sipas “2A Group”, vendimi i Gjykatës së Lartë nuk përbën një vijim normal të praktikës gjyqësore, por një zhvillim që ngre pikëpyetje mbi konsistencën e vendimmarrjes. Sipas saj, është e pashpjegueshme që një instancë e lartë të anashkalojë një volum të madh vendimesh të mëparshme dhe të disponojë ndryshe për një pjesë të veçantë të procesit.

Reagimi i “2A Group”:

Shoqëria “2A Group” sh.p.k. sqaron opinionit publik dhe institucioneve mbikëqyrëse të sistemit të drejtësisë për të denoncuar një anomali të paprecedentë ligjore dhe një cenim flagrant të procesit të rregullt ligjor, lidhur me administrimin e interesave në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës (VIA).

Deri më sot, në përballjet e vazhdueshme gjyqësore, asnjë instancë e gjykatave të faktit nuk i ka dhënë të drejtë shoqërisë “Mabco Construction” S.A. Përkundrazi, përmes 12 vendimeve të njëpasnjëshme, të dhëna nga Gjykatat e Shkallës së Parë dhe Gjykata e Apelit me trupa që përfshijnë mbi 20 gjyqtarë të ndryshëm, është provuar me themel dhe me prova të pakontestueshme e vërteta. Këto gjykata kanë konfirmuar rrezikun objektiv që i kanosej këtij aseti strategjik nga tentativa për inkorporimin e strukturave të dyshimta dhe detyrimeve të paautorizuara “offshore”.

Vendimmarrja e fundit e Gjykatës së Lartë nuk përbën një zhvillim normal jurisprudencial, por një paradoks që ngre pikëpyetje thelbësore mbi funksionimin e shtetit të së drejtës. Është juridikisht e pakuptueshme dhe logjikisht e pamundur që një instancë e lartë të injorojë plotësisht një vëllim kaq masiv faktesh dhe të përmbysë një praktikë kaq të konsoliduar, duke disponuar në mënyrë të izoluar vetëm për njërin nga proceset.

Kjo anomali shpjegohet vetëm nga një fakt se ky nuk është një vendim i mbështetur në frymën dhe gërmën e ligjit, por një vendim i paracaktuar. Procesi është zhvilluar në kushtet e një konflikti të hapur dhe të njohur interesi, pasi kryesuesi i trupit gjykues ka raporte të afërta dhe të ngushta me përfaqësuesin ligjor të palës tjetër.

Shoqëria jonë e kishte denoncuar paraprakisht dhe zyrtarisht këtë fakt pranë organeve kompetente të drejtësisë, duke kërkuar garantimin e paanësisë përpara se ky vendim të merrej. Fakti që ky denoncim institucional u shpërfill dhe procesi u dërgua drejt një rezultati të paramenduar, tregon një mungesë të thellë të integritetit profesional dhe procedural në këtë gjykim të veçuar.

“2A Group” sh.p.k. deklaron me vendosmëri se një vendim i tillë i paracaktuar dhe thellësisht i vesuar nuk do të shërbejë si mjet për të legjitimuar asnjë skemë të errët financiare mbi Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës. Beteja ligjore do të vazhdoje në të gjitha instancat e nevojshme, për të zhbërë këtë absurditet juridik dhe për të mbrojtur këtë aset të rëndësisë kombëtare nga interesat “offshore”.

P.S

Vendimi i gjykates se larte ka te bëjë vetëm me njerën nga masat e sigurimit te padise dhe nuk lidhet me shqyrtim themeli.