Situata
Edhe pse LSI-ja dhe PS bëjnë maxhorancë pagën si kryetar i Këshillit të Qarkut të Fierit e merr kandidati i djathtë
Pas fitores së postit të kryetarit të Këshillit të Qarkut Fier, më 21 shtator 2011, nga kandidati i Partisë Socialiste, Vangjel Ndreka, i cili garoi kundrejt rivalit të tij demokrat, z.Artur Shehu, grupimi “Aleanca për qytetarin” nisi një betejë të ashpër politike në këtë qark. Menjëherë pas konstituimit të parë të Këshillit të Qarkut Fier, demokratët nisën të kryenin ndryshime të anëtarëve të këshillave të disa komunave dhe bashkive, të cilët i përfaqësonin këto njësi vendore në qark. Grupimi “Aleanca për qytetarin” zhvilloi një mbledhje të dytë për konstituimin e Këshillit të Qarkut Fier më 16 nëntor të vitit 2011 në një ambient privat, ku morën pjesë anëtarët e ndryshuar në njësitë vendore. Sipas demokratëve, në këtë mbledhje u arrit të krijohej kuorumi i nevojshëm prej 49 këshilltarësh. Paralelisht të majtët thirrën mbledhjen e këshillit të qarkut në ambientet e Bashkisë Fier në prani të mediave, ku arritën të kishin 54 këshilltarë të mandatuar më 21 shtator, nga 96 që janë gjithsej. Menjëherë socialistët i paditën në gjykatë si të paligjshme këto ndryshime, duke kërkuar rrëzimin e tyre. Kjo, pasi demokratët dhe aleatët e tyre të LSI-së nisën të ndryshonin anëtarët e mandatuar nga këshilli i qarkut. Pas një maratone procesesh gjyqësore, të tria shkallët e gjyqësorit vendosën t’i quajnë të paligjshme këto ndryshime të demokratëve. Por, edhe pas vendimeve të formës së prerë të gjykatave, institucioni i prefektit nuk i njohu ato, duke e futur në ngërç Këshillin e Qarkut Fier, ku kryetari i majtë, z.Vangjel Ndreka, njihej si kryetari i ligjshëm edhe nga vetë ministrja e Integrimit, znj. Bregu dhe ndërkombëtarët, ndërsa pagën e përfitonte kryetari i djathtë, z.Artur Shehu. Kryetari i majtë, z.Vangjel Ndreka, e ka thirrur edhe herë të tjera mbledhjen e Këshillit të Qarkut Fier, ku ka pasur gjithmonë mazhorancën e anëtarëve të mandatuar më 21 shtator 2011. Ndërsa në mbledhjen paralele të thirrur më 24 prill 2012 nga z.Artur Shehu, morën pjesë në vend të këshilltarëve punonjës të administratës së një njësie vendore. Por, edhe pse tashmë LSI-ja i është bashkangjitur koalicionit opozitar, pagën si kryetar i Këshillit të Qarkut të Fierit vazhdon ta përfitojë kandidati i djathtë, z.Artur Shehu, duke bërë që të mos zgjidhet ngërçi gati dyvjeçar. Kjo, pasi institucioni i prefektit vazhdon të mos i njohë vendimet e formës së prerë të gjykatës, duke “mbrojtur” anëtarët e ndryshuar nga këshillat e njësive vendore. Qarku i Fierit zuri qendrën e vëmendjes së ndërkombëtarëve gjatë periudhës kur mazhoranca kërkonte votimin e tri ligjeve, por që nuk u votuan nga opozita, e cila kërkonte zgjidhjen e ngërçit në Qarkun e Fierit.
Ligji i qeverisjes vendore
Aktet e këshillit shpallen brenda 10 ditëve nga data e miratimit të tyre dhe hyjnë në fuqi 10 ditë pas shpalljes. Aktet me karakter individual hyjnë në fuqi në datën e njoftimit të tyre subjekteve që përfshihen në to.