Dy korsitë e aksit kryesor në drejtimin Tiranë-Durrës, do të bllokohen përkohësisht gjatë netëve të 14 dhe 15 gushtit, për shkak të punimeve për montimin e trarëve metalikë të mbikalimit të ri të Kasharit. Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) njofton se ndërhyrja do të kryhet në kuadër të punimeve për projektin “Zgjerimi i Superstradës Tiranë-Durrës (Faza III)” dhe do të zhvillohet nga ora 23:00 deri në 05:00.
Gjatë këtij intervali, automjetet që do të lëvizin në drejtim të Durrësit do të devijohen në dy korsitë e anës së majtë të autostradës. Këto korsi do të funksionojnë përkohësisht me dy drejtime lëvizjeje, për të mundësuar vijimin e qarkullimit. Ndërkohë, mjetet që kanë destinacion Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës do të vijojnë lëvizjen pa pengesa. ARRSH u bën apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes dhe të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet gjatë kohës së ndërhyrjes.
Autoriteti Rrugor Shqiptar kërkon gjithashtu mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve, bizneseve dhe banorëve të zonës për kufizimet e përkohshme të qarkullimit.
