Prokuroria, KLD-ja dhe Ministria e Drejtësisë, veprime të ngadalta për Neritan Tabakun
Sokol Çobo
Drejtësia shqiptare e ka shumë të vështirë të hetojë një nga anëtarët e saj. Gjyqtari Neritan Tabaku vijon i qetë punën në Gjykatën e Durrësit, teksa jep sërish vendime në emër të “Republikës”. Megjithëse u akuzua për lirimin e Ilir Xhakes, vrasësit të kryekomisarit të Shijakut, Adem Tahiraj, ai është rikthyer në punë pas “problemeve shëndetësore”. Drejtësia është e pafuqishme ta “kryqëzojë”, pasi në këtë mënyrë do të krijonte një precedent të rrezikshëm, ku shumica e gjyqtarëve mund të viheshin nën akuzë për moszbardhje të vendimeve në kohë. Kur kanë kaluar më shumë se dy javë nga nisja e hetimeve, ende këtij gjyqtari nuk i është hequr imuniteti, megjithëse të gjitha institucionet u angazhuan të zbardhnin ngjarjen e rëndë të vrasjes së një oficeri të lartë të policisë në krye të detyrës.
Prokuroria ende nuk ka dërguar kërkesën për heqjen e imunitetit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, kërkesë e cila kalon sa në njërën zyrë në tjetrën. Ndërsa, KLD-ja, megjithëse ka nisur një hetim administrativ për këtë çështje dhe paralajmëroi masa të rrepta ndaj këtij fenomeni, ende nuk ka dalë me një konkluzion zyrtar për gjyqtarin Tabaku. Nga ana tjetër, mazhoranca, e cila kaloi ligjin për heqjen e imunitetit, duket se ka harruar këtë çështje, duke u kujtuar shqiptarëve se “çudia më e madhe tri ditë zgjat”.
Hetimet e prokurorisë
Grupi hetimor i Njësisë Task-Forcë është i pafuqishëm për të vepruar ndaj këtij gjyqtari. Një nga problemet e theksuara të kësaj çështjeje është i shumëdiskutuari imunitet, të cilin e gëzon gjyqtari Neritan Tabaku. Më 13 shtator, kur krimineli i pandëshkuar Ilir Xhakja, goditi shtetin duke vrarë një kryekomisar, Tabaku gëzonte privilegjet që i jep imuniteti. Vepra penale që ai akuzohet nuk ka ndodhur në flagrancë dhe për rrjedhojë ai nuk mund të hetohet, përderisa Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk ia heq me shumicë votash. Nga ana tjetër, ligji për kufizimet e imunitetit ndaj gjyqtarëve dhe deputetëve, ende nuk ka hyrë në fuqi. Megjithatë, ky ligj nuk mund të përdoret për rastin “Tabaku”, pasi ligji i ri nuk ka fuqi prapavepruese. Problem i theksuar për akuzën është edhe mbledhja e dokumentacionit. Përderisa gjyqtari ka imunitet, këto prova nuk mund të përdoren në gjykatë. Duke hetuar një jurist, akuza do të veprojë me kujdes në mbledhjen e provave, megjithëse deri më tani të gjitha verifikimet janë bllokuar. Ende nuk ka ndonjë informacion për mungesën e një kërkesë drejtuar KLD-së për heqjen e imunitetit, ndërsa drejtuesit e akuzës qendrore pohojnë se po analizojnë çdo veprim, duke diskutuar për marrjen e provave.
Hetimi administrativ
Çështja “Xhakja”, ku një rol kryesor kishte edhe gjyqtari Neritan Tabaku, u diskutua gjerë e gjatë nga krerët më të lartë të shtetit, të cilët u angazhuan se personat e implikuar do të hetoheshin dhe gjykoheshin në një kohë rekord. KLD-ja dhe Ministria e Drejtësisë pohuan se nisën një kontroll në Gjykatën e Durrësit dhe për koincidencë rezultoi se i njëjti gjyqtar, që liroi vrasësin e kryekomisarit, kishte vendime të njëjta në të kaluarën. Ai kishte liruar Klodian Saliun, një nga krerët e Bandave të Durrësit, rival me Lulzim Berishën. Për këtë lirim, i penduari i bandave Adriatik Coli, tha se për lirimin e Saliut ishin paguar 200 mijë euro. Deklarata të tilla ende nuk janë verifikuar edhe sot. Ndërkohë, një tjetër vendim lirimi ishte edhe për të njohurin si Gëzimin e Kashtës.
Të gjitha këto vendime janë sekuestruar nga KLD-ja, e cila mësohet se i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë të propozojë marrjen e masave ndaj gjyqtarit Tabaku. Por, dyshimet se me këtë precedent mund ta pësojnë edhe dhjetëra gjyqtarë të tjerë, ka sjellë ngërçin në marrjen e masave.
Masat ndëshkimore
KLD-ja, megjithëse ka nisur një hetim administrativ për këtë çështje dhe paralajmëroi masa të rrepta ndaj këtij fenomeni, ende nuk ka dalë me një konkluzion zyrtar për gjyqtarin Tabaku
ETAPAT
Neglizhenca – Gjyqtari Neritan Tabaku është njohur për neglizhencën e theksuar për moszbardhjen e vendimeve në kohë. Rasti i vendimit të pafajësisë së Ilir Xhakes nuk ka qenë i vetmi
Precedentët – Tabaku rezulton se nuk ka zbardhur dhjetëra vendime të tjera në kohë, duke shkelur haptas ligjin, madje nuk u është bindur edhe urdhrave të eprorëve, urdhra të cilat i ka injoruar totalisht
Zbardhja e vendimit – Pas ngjarjes së 13 shtatorit, ai ka shpejtuar që të zbardhë vendimin e lirimit të Ilir Xhakes. Vendimi është me shumë gabime dhe pjesë të tij janë marrë nga disa vendime të mëparshme
Masat ndëshkimore – Në mbledhjen e radhës së KLD-së pritet të shqyrtohet rasti “Tabaku” dhe me shumë mundësi pritet të merren masa, ku më e mundshmja është pezullimi nga detyra, deri në përfundim të hetimeve
Hetimet e prokurorisë – Njësia Task-Forcë është e pafuqishme për të zbardhur veprën penale të shpërdorimit të detyrës që i atribuohet Neritan Tabakut. Pengesë kryesore është imuniteti
Ekzekutimi
I forti i Sukthit hetohet nga Krimet e Rënda për vrasje. Nën akuzë edhe dy shoqëruesit e Tahirajt
Politikanë, policë e gjyqtarë, “ndihmësit” e Xhakes
Një nga anëtarët e klanit “Xhakja”, Ilir Xhakja, ka provuar shpeshherë qelinë pas vitit 1994 dhe për shumë herë ia ka dalë mbanë të dalë prej tyre,. Është ndihmuar shpeshherë nga politikanë, policë e gjyqtarë, duke mposhtur sistemin e brishtë të drejtësisë, megjithëse akuzohej për krime të rënda si vrasje dhe pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal. Para 13 shtatorit të këtij viti, ai do të arrestohej disa herë për vrasje, plagosje e trafik droge. Një nga krimet e tij që u hetua dhe gjykua ishte vrasja e Qerim Malokut në vitin 1998. Krimet e Rënda e dënuan me 21 vite burg, ndërsa Gjykata e Lartë e ktheu për rigjykim. Me ndihmën e disa punonjësve të policisë që dëshmuan se Xhakja ishte në Gjermani, por edhe duke përfituar nga bujaria e tepruar e gjyqtarëve, ai do të shpallej i pafajshëm në fillim të vitit të kaluar. Madje, edhe për akuzën e armëmbajtjes pa leje. Akuza e pati të pamundur të bënte një apel të plotë të kësaj çështjeje, pasi vendimi mbeti 20 muaj pa u zbardhur dhe duke përfituar nga vendimi i Gjykatës së Durrësit, Xhakja u lirua.
Megjithëse në liri dhe askush nuk po kujtohej për të, Xhakja vrau në krye të detyrës shefin e Komisariatit të Shijakut, i cili kishte dalë për të bllokuar automjetet pa targa dhe me xhama të zinj, pasi dyshonte se në to fshiheshin kriminelë. Tentoi të shoqëronte Ledion Krasnajn, kur në vendin e ngjarjes mbiu Ilir Xhakja, i cili, veproi me vetëdije të plotë kundër shtetit. Megjithëse kishte tre kundërshtarë të veshur me uniforma policie, të pajisur edhe me armë zjarri, 38-vjeçari qëlloi me pëllëmbë punonjësin Fatmir Hoxha dhe më pas iu drejtua kryekomisarit Adem Tahiraj. Ky i fundit i kërkoi identifikimin dhe si përgjigje mori një të sharë, ndërsa disa çaste më vonë edhe pesë plumba pistolete.
U largua nga vendi i ngjarjes qetë qetë, mori edhe nipin që polici tentoi ta shoqërojë në polici dhe u fsheh për disa orë deri në vetëdorëzim. Në vendngjarje mbetën dy punonjësit Kastriot Gosturani dhe Fatmir Hoxha, të cilën sajuan lloj lloj alibish për mos t’u vënë nën akuzë. Hoxha, që njihej si shoferi i kryekomisarit, lëshoi një deklaratë tronditëse. Tha se i kishte rënë të fikët kur pa të shtrirë dhe të mbuluar në gjak Tahirajn. Ndërsa, Gosturani pohoi se nuk kishte parë shumë detaje nga vendngjarje dhe dëshmitarët konfirmuan se inspektori i krimeve ishte fshehur poshtë sediljes kur Xhakja qëlloi mbi kryekomisarin.
Vrasja e një funksionari të lartë të shtetit u hetua nga Prokuroria e Krimeve të Rënda që vuri fillimisht në akuzë Ilir Xhaken. I ndodhur para provave, ai ka pranuar pa asnjë hezitim vrasjen, ndërsa në gjykatë u braktis edhe nga avokati që pohoi se kishte zgjedhur. Pas disa ditë hetimesh, në pranga u vunë dy shoqëruesit e Tahirajt pasditen e 13 shtatorit. Gjykata e Krimeve të Rënda kishte vendosur me masë sigurimi arrestimin e Kastriot Gosturanit, por një operacion i urdhëruar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm arrestoi Hoxhën dhe Gosturanin. Akuza reagoi duke pohuar se kishte një ndërhyrje në hetime dhe gjykata vendosi që këto veprime janë të paligjshme. Megjithatë, asnjë masë nuk u mor për veprimet arbitrare të SHKB-së. Hetimet vijojnë me mbledhjen e provave dhe kryerjen e ekspertimeve dhe shumë shpejt, sipas burimeve, çështja do të kalojë për gjykim, me tre persona të arrestuar. s.ç