Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan njofton se aksin Librazhd-Përrenjas është i bllokuar totalisht për të gjitha mjetet, përfshirë ambulancat, zjarrfikëset dhe Policinë. Gjatë orëve të fundit, rrëshqitja e tokës dhe fundosja e urës kanë vijuar me intensitet edhe më të lartë, duke rritur ndjeshëm rrezikun për çdo lloj qarkullimi.

Rreth orës 22:00, pas bllokimit të lëvizjes së automjeteve për shkak të përkeqësimit të gjendjes, autoritetet kanë marrë një vendim edhe më drastik, pasi është ndaluar plotësisht edhe qarkullimi i këmbësorëve.

Mjetet e shërbimeve emergjente do të devijohen përmes rrugës alternative që kalon nga fshatrat Spathar dhe Dardhë, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin çdo tentativë për të kaluar në zonën e rrezikut. Situata mbetet kritike, ndërsa rreziku i shembjes së plotë të strukturës ka detyruar autoritetet të izolojnë totalisht zonën, duke e kthyer një nga akset më të rëndësishme të vendit në një pikë kritike infrastrukturore.

“Bazuar në njoftimin e marrë nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, aksi rrugor nacional Librazhd – Prrenjas është bllokuar totalisht për qarkullimin e mjeteve. Aktualisht, në këtë segment nuk lejohet kalimi i asnjë mjeti, përfshirë ambulancat, mjetet zjarrfikëse dhe mjetet e Policisë së Shtetit, të cilat deri më tani kishin akses në këtë aks.

Strukturat përgjegjëse janë në terren dhe po monitorojnë situatën në vijimësi. Për çdo zhvillim të mëtejshëm do të ketë njoftim zyrtar. Prefektura e Qarkut Korçë mbetet në koordinim të plotë me institucionet përgjegjëse për menaxhimin e situatës”, thuhet në njoftim