Izolohet Komuna e Iballës, në Fierzë të Pukës raportohen dëme nga rrëshqitja e dheut


Një nga zonat më të thella të vendit, Komuna e Iballës në Rrethin e Pukës, prej dy ditësh është tërësisht e izoluar nga pjesa tjetër e vendit, pasi reshjet e dendura kanë krijuar rrëshqitje gurësh dhe dherash, duke bërë që rruga e vetme që lidh këtë komunë me pjesën tjetër të vendit në disa segmente të bllokohet dhe të kthehet në shtrat përroi.


Që Rrethi i Pukës ka pasur probleme serioze me reshjet e dendura të shiut që kanë krijuar rrëshqitje dherash duken që pa hyrë në Fushë-Arës, në rrugën nacionale që lidh këtë qytet me Rrëshenin, ku gurët e dherat e rënë nga shpatet e maleve në disa segmente kanë krijuar probleme.


Por situata më e rënduar duket më në thellësi, në rrugën Iballë “Fushë-Arës”, që është rruga e vetme që lidh Komunën Iballë me pjesën tjetër të vendit. Rruga këtu pak km pa hyrë në Iballë të ngjason me një shtrat përroi të rrëmbyeshëm. Gurët dhe dherat që kanë rrëshqitur nga malet, për shkak të reshjeve, e kanë bërë të pakalueshme rrugën. Për shkak të kësaj situate kanë mbetur të izoluar 8 fshatrat me rreth 4 mijë banorë të Komunës Iballë.


Nënprefekti i Pukës, Fatmir Ringaj, shprehet për gazetën se shumë shpejt do të bëhet e mundur ndërhyrja për të rihapur rrugën.


Iballa është një zonë e thellë që muajt e dimrit i kalon e izoluar nga dëbora, por tashmë shkak për bllokimin e saj janë bërë reshjet e shiut. Ndërkohë, situata problematike nga rrëshqitja e dherave ka pasur edhe në Komunën Fierzë të Pukës, ku raportohen edhe dëme serioze në dy banesa që kanë pësuar shembje. Gjithashtu një tjetër komunë problematike nga rrëshqitja e dherave është edhe Komuna Gjegjan, ku në vendin e quajtur Shkozë ka pasur bllokim të rrugës që lidh këtë komunë me pjesën tjetër të vendit. Sipas Prefekturës së Pukës, mësohet se mjetet e rënda për pastrimin e rrugës aktualisht janë të përqendruara në akset nacionale për t’i mbajtur të hapura dhe për të siguruar lëvizjen pa problem të automjeteve. Një shqetësim po aq serioz mbetet rrëshqitja e papritur e gurëve dhe dherave përgjatë rrugës nacionale Shkodër – Pukë, Fushë-Arës – Kukës dhe Fushë-Arës – Rrëshen, ku drejtuesit e automjeteve këshillohen të lëvizin me kujdes, për shkak të rrëshqitjeve të dherave dhe gurëve nga lartësitë e maleve.


Dy ditët e fundit ka rënë dëbora e parë në malet e Dibrës. Kështu, në zonat rurale të këtij qarku, në lartësinë mbi 1000 metra, ka pasur reshje dëbore, trashësia e së cilës shkon nga 10 deri në 30 centimetra. Nga reshjet e dëborës janë përfshirë mjaft komuna dhe fshatra të thellë malorë, si: Lura, Kalaja e Dodës, Trebishti, Xibri, Macukulli. Reshjet e dendura të shiut me furtunë dhe dëborë kanë shkaktuar probleme jo vetëm në bujqësi, por dëme ka pasur edhe në infrastrukturë, ku në mjaft segmente rrugore ka pasur rrëshqitje dherash, por jo bllokim komunikacioni. Ndërkohë ka pasur edhe shembje urash, si në fshatin Zenisht, ku si pasojë e këtyre reshjeve është shembur ura e Lufit, e cila është ndërtuar vetëm para dy javësh dhe lidh rrugën nacionale me Rrugën e Kombit. Veç kësaj, në zonën e Matit janë shembur ura në fshatrat e Komunës Gurrë, duke bërë që banorët e këtyre fshatrave të mbeten të izoluar. Banorët thonë se nuk mund të lëvizin, sepse nuk kanë asnjë rrugë komunikimi me qendrën e komunës. Po e njëjta situatë edhe për banorët e fshatit Karricë, të cilët edhe ata kanë mbetur të izoluar, për shkak të shembjes së urës që lidh fshatin e tyre me rrugën nacionale. Ndërkohë, reshjet kanë shkaktuar probleme edhe në rrjetin e transmetimit të energjisë elektrike në këtë zonë, duke bërë që energjia të shkëputet. A. Hoti, H. Likdisha