Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, një denoncim i bërë nga kandidati i Partisë Demokratike në Dibër, Xhemal Gjunkshi, ka sjellë reagimin e menjëhershëm të policisë. Ai ka raportuar se në Maqellarë, përfaqësues të Partisë Socialiste dyshohej se shpërndanin para në këmbim të votave.

Grupi hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me SPAK dhe Prokurorinë e Rrethit Dibër, ka kryer veprimet hetimore të nevojshme. Si rezultat, janë referuar materiale procedurale për disa individë, përfshirë Xhemal Gjunkshin, nën akuzën e “Korrupsionit aktiv në zgjedhje” dhe veprave të tjera penale. Hetimet janë në vazhdim për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Policia e Dibrës ka bërë me dije se dje rreth orës 21.15, në sallën Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër ka mbërritur një telefonatë nga Xhemal Gjunkshi, kandidat për deputet i subjektit politik Partia Demokratike, i cili shprehej se në Maqellarë, përfaqësues të subjektit politik të Partisë Socialiste dyshohej që shpërndanin shuma parash në këmbim të votave, banorëve të kësaj njësie.

Menjëherë, në adresën e dhënë ka shkuar grupi i posaçëm hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe nën drejtimin e SPAK dhe Prokurorisë së Rrethit Dibër, janë kryer të gjitha veprimet e duhura hetimore.

“Për sa më sipër, u referuan materialet procedurale pranë SPAK, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, e lidhur me veprat penale “Vetëgjyqësia”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit rrugor”, në ngarkim të shtetasve A.K., 29 vjeç; H.H., 48 vjeç; Xhemal Gjunkshit, 62 vjeç; E.Gj., 33 vjeç.

Në vijim të hetimeve të kryera lidhur me ngjarjen e datës 09.05.2025, në Maqellarë, u referuan materialet procedurale pranë SPAK, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, në ngarkim të shtetasve H.M., 54 vjeç; dhe F.P., 57 vjeç”, njofton policia.

Top Channel