Në orët e para të së dielës është ekstraduar nga Republika Domenikane në Shqipëri Soni Pepa, i njohur edhe me emrin Vilson Pepa, 41 vjeç, lindur në Lushnjë. Ai konsiderohet një nga emrat kryesorë të botës së krimit, pjesë e grupit të drejtuar nga Ervis Çela dhe Franc Çopja.

Operacioni u zhvillua në kuadër të aksionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, pas bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Santo Domingo. Pepa u arrestua më herët në Punta Cana, ndërsa sot u dorëzua autoriteteve shqiptare dhe iu kalua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Gjykata e Posaçme e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar duke i caktuar masën “arrest me burg” për disa akuza të rënda: trafikim të narkotikëve, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash.

Emri i tij është i lidhur me një nga ngarkesat më të mëdha të kokainës të kapura në Evropë. Bëhet fjalë për rreth 11 tonë drogë, prej të cilave 600 kilogramë u sekuestruan në Roterdam të Holandës në nëntor të vitit 2020. Hetimet treguan se Pepa kishte financuar gjithashtu blerjen e 10 kilogramëve të tjerë kokainë në të njëjtin qytet.

Sipas raporteve ndërkombëtare, grupi ku bënte pjesë Pepa vepronte mes Amerikës së Jugut dhe Evropës, duke trafikuar sasi të mëdha droge me destinacion kryesor portet e Belgjikës dhe Holandës. Ngarkesa e madhe e vitit 2020 ishte nisur nga porti i Villetas në Paraguai dhe kishte për destinacion portin e Antverpit.