Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të hënë në Qafën e Llogarasë, në zonën që të çon drejt antenave, ku një automjet tip BMW është përfshirë nga flakët.

Brenda mjetit është gjetur trupi i pajetë i një personi, i djegur plotësisht. Në vendngjarje kanë mbërritur fillimisht shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit, ndërsa automjeti është shkrumbuar totalisht.

Në pamjet nga vendngjarja shihet se automjeti i përfshirë nga flakët ka dalë nga rruga dhe është djegur në një zonë me shkurre, çka ka favorizuar përhapjen e zjarrit. Ndërkohë, nuk përjashtohet mundësia që ngjarja të ketë qenë një atentat.

Policia njofton se ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:35 dhe viktima është gjetur në sediljen e drejtuesit të mjetit. Për shkak të djegies së plotë, targa e automjetit nuk ka mundur të identifikohet. Sipas dyshimeve paraprake, personi mund të jetë vrarë fillimisht dhe më pas automjeti është djegur për të fshehur gjurmët e krimit.

NJOFTIMI;

Vlorë/Informacion paraprak

Rreth orës 14:35, pas një njoftimi të marrë në sallën operative të DVP Vlorë, shërbimet e Policisë janë nisur drejt vendit të quajtur “Qafa e Llogarasë”, ku kanë konstatuar një automjet duke u djegur. Brenda automjetit dyshohet se si pasojë e zjarrit, ka humbur jetën dhe është djegur një shtetas ende i paidentifikuar, në sediljen e drejtuesit të mjetit.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për identifikimin e viktimës dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.