Është shtyrë sërish seanca paraprake për ish kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Mësohet se shkak është bërë mosparaqitje e avokatëve, për shkak të bojkotit. Seanca e radhës u caktua për në 28 tetor në orën 10:00.
Kujtojmë se më 2 tetori Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e Erion Veliajt, i cili kërkon zëvendësimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” me një masë më të butë.
Veliaj u arrestua më 10 shkurt pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash, për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë, kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.
Sipas SPAK, kryebashkiaku i kryeqytetit dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milionë euro nga kjo skemë korruptive, para që janë përdorur kryesisht për blerje luksoze në internet nga Ajola Xoxa.
Megjithëse Veliaj ka kërkuar që të lihet i lirë, sipas Gjykatës së Posaçme të Apelit, ai së bashku me Xoxën, kanë tentuar të ‘helmojnë’ dhe prishin provat e çështjes, duke kërcënuar dëshmitarët dhe agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.