Terrorizmi godet sërish Shtetet e Bashkuara, nuk dihen ende motivet e ngjarjes
Dy shpërthime goditën maratonën e famshme të Bostonit gjatë ditës së djeshme, ndërsa vrapuesit kaluan vijën e finishit. Së paku dy vetë mbetën të vrarë menjëherë dhe 23 të tjerë numërohen të plagosur sipas një bilanci paraprak. Gjatë maratonës, me mijëra njerëz dalin në rrugët e qytetit të veriut të Shteteve të Bashkuara për të parë një nga garat sportive më të famshme të botës.
Fotot nga skena e shpërthimit paraqesin vija gjaku në tokë dhe shumë njerëz të rrëzuar. Spitali i Përgjithshëm i Masaçusetsit po trajton viktimat e shpërthimit në dhomën e vet të urgjencës, por informacioni për gjendjen e tyre nuk është i disponueshëm për momentin, njoftoi një zëdhënëse.
Policia raportoi së paku një shpërthim, ndërsa dëshmitarët thanë se qenë dy që goditën ndërsa spektatorët po përshëndesnin garuesit e maratonës, e cila është zhvilluar që nga viti 1897.
Reporterët që po mbulonin maratonën dëgjuan dy shpërthime. Policia e Bostonit tha se së paku dy njerëz janë vrarë dhe 23 të tjerë janë plagosur.
Shumë njerëz, disa prej të cilëve të gjakosur, u panë në vijën e finishit, ndërsa policia mbërriti e armatosur për të ndihmuar të plagosurit dhe për të siguruar skenën e krimit.
Mike Mitchell nga Vankuveri i Kanadasë, një prej vrapuesve që e pati përfunduar garën, tha se po shikonte pas te vija e finishit kur pa “shpërthimin masiv”.
“Tymi u ngrit 50 metra në ajër, tha Mitchell. Njerëzit filluan të vrapojnë dhe të bërtasin”. Ambulancat, zjarrfikëset dhe dhjetëra makina policie shkuan në zonë.
Presidenti Barack Obama u njoftua për ngjarjen dhe porositi administratën të siguronte të gjithë ndihmën e nevojshme, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
“Gjak gjithandej, viktimat po transportohen me barelë. Pashë dikë që humbi një këmbë dhe njerëzit po qajnë”, shkroi në “Twitter” Steve Silva, reporter vendës.
Qindra mijë spektatorë mblidhen zakonisht përgjatë rrugës së garës 26.2 milje të gjatë, ku turmat më të mëdha qëndrojnë pranë vijës së finishit. Shpërthimi ndodhi pesë orë pas fillimit të garës, në kohën kur shumica e atletëve pretendentë e kishin mbyllur garën, por maratonomakët më të ngadaltë amatorë qenë ende duke vrapuar.
Qarkullimi i mjeteve në të gjithë zonën u ndërpre. Ambulancat mbërritën në vendngjarje brenda pak minutave, ndërsa garuesit dhe spektatorët u panë duke qarë dhe duke përqafuar njëri-tjetrin.
Maratona e Bostonit zhvillohet në Ditën e Patriotëve, e hëna e tretë e prillit që nga viti 1897. Ky aktivitet tërheq zakonisht gjysmë milioni spektatorë dhe rreth 20 mijë garues. Gara dje u fitua nga Lelisa Desisa prej Etiopisë, për disiplinën e maratonës për meshkuj dhe Rita Jeptoo nga Kenia për femra.
Standardet e sigurisë u rritën menjëherë në të gjithë Amerikën. Mjetet kundër terrorizmit u shfaqën nëpër rrugët e Nju Jorkut.