Shefi i shërbimit të zjarrfikësve të Tiranës Shkëlqim Goxhaj foli nga vendi i zjarrit në tregun e rrobave në lagjen “5 maji” në Tiranë. Goxhaj tha se kapanonet në flakë kanë rroba dhe objekte plastike që kanë përhapur zjarrin. Nuk dihet ende nëse ka bombula gazi brenda. Sakaq, Goxhaj shtoi se zjarrfikësit janë drejt izolimit të plotë të vatrës së zjarrit.
“Këto kapanone dhe biznese janë të sigurta. Zjarri është lokalizuar vetëm te objekti që ra në fillim. Ishte ora e parë që ne luftuam me të gjithë forcat. Janë vetë materialet dhe çatia që përcjellin zjarrin. Kaluam pastaj në izolimin e vatrës së zjarrit vetëm në këtë objekt, duke rrethuar objektin me forca nga shërbimi i Tiranës Kamzës, Vorës dhe Elbasanit. Kemi ndihmë nga policia e shtetit dhe bashkiake. Duke ditur materialet brenda, rroba dhe pajisje plastike kemi kaluar në planin e dytë me izolimin e objektit që të mos përhapet.
Dyqanet janë të ndryshme, nuk kemi arritur të dallojmë se çfarë ka brenda. Ka sasi të madhe rroba dhe plastike. Për detaje do shikojmë në hollësi. Jemi në momentin që është drejt fundit vatra e zjarrit. Nuk ka informacione që ka ardhur ndihmë nga ushtria. Ekspertizën do e bëjnë policia dhe punonjësit tanë.”- tha ai.



