Kushtet e motit gjatë natës së të enjtes kanë qenë relativisht të qeta në zonat malore të Bashkisë Elbasan, ku nuk raportohen bllokime nga dëbora, pavarësisht se në disa zona trashësia e saj ka kaluar 30 centimetra. Strukturat përgjegjëse kanë punuar gjatë gjithë natës për mbajtjen hapur të akseve rrugore.

Ndërkohë, problematika janë evidentuar në disa zona të Bashkisë Gramsh, ku si pasojë e motit të keq dhe temperaturave të ulëta është raportuar ndërprerje e energjisë elektrike. Ekipet janë në terren për rikthimin e furnizimit, ndërsa situata mbetet nën monitorim.

Në territorin e Bashkisë Elbasan, aktualisht ka prani dëbore në fshatrat e njësive administrative Gjinar, Gracen, Labinot Mal, Zavalinë dhe Funar. Akset Elbasan–Gjinar dhe Elbasan–Gracen janë të kalueshme normalisht pa zinxhirë dhe pa probleme me energjinë elektrike. Rruga Elbasan–Funar është gjithashtu e kalueshme pa zinxhirë, por rekomandohet përdorimi i tyre në akset lidhëse drejt fshatrave Korrë, Cërrunjë dhe Mollagjesh.

Aksi Elbasan–Labinot Mal dhe rruga Elbasan–Zavalinë janë të kalueshme vetëm me zinxhirë, për shkak të temperaturave të ulëta dhe pranisë së dëborës. Furnizimi me energji elektrike në këto zona të Elbasanit paraqitet normal.

Procesi mësimor në njësitë e prekura është pezulluar dhe do të zëvendësohet ditën e shtunë, më 17 janar. Ndërkohë, Autoriteti Rrugor vijon punën në terren me kriposjen e rrugëve.

Sa i përket akseve kombëtare, rruga Prrenjas–Qafë Thanë kalohet normalisht, ndërsa aksi Librazhd–Peshkopi paraqitet i vështirë për t’u kaluar për shkak të pranisë së madhe të akullit dhe mungesës së kriposjes, edhe për mjetet me zinxhirë.

Top Channel