Një aksident i trefishtë ka ndodhur në Rrugën e Arbrit, pranë tunelit të Murrizit, në anën e Klosit, për shkak të një mjeti borëpastrues.

Sipas informacioneve paraprake, borëpastruesi po kryente pastrimin e rrugës kur ka goditur një automjet tip Volkswagen që udhëtonte në drejtim të Tiranës.

Si pasojë e përplasjes, Volkswagen-i është goditur edhe nga dy automjete të tjera që ndodheshin pas tij.

Për pasojë, disa persona kanë pësuar lëndime, ndërsa drejtuesi i mjetit Volkswagen është transportuar menjëherë në spital për trajtim të mëtejshëm.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të sqaruar shkaqet e këtij aksidenti, ndërkohë që priten informacionet e mëtejshme lidhur me gjendjen e të lënduarve dhe përgjegjësitë përkatëse.