Bizneset e dyshimta të ngritura nga Shkëlzen Berisha, djali ish-kryeministrit, Sali Berisha, duhet të jetë arsyet për nisjen e hetimit nga ana e prokurorisë së posaçme, SPAK.

I këtij mendimi është avokati i njohur nga Kosova, Tom Gashi, i cili në studion e “Breaking” ka deklaruar se SPAK duhet të hapë hetimet për skandalet e ngritura në media, siç është edhe ajo ngritja e biznesit të boronicave në zonën e Gërdecit nga Shkëlzen Berisha, ku ka marrë një kredi rej 1,8 milionë euro, por që garancia e ofruar është sa ¼ e kredisë, por që banka ia ka dhënë.

“Besoj që jo vetëm duhen hapur dhe rihapur dhe për skandalet e nxjerra në media që kalojnë qindra miliona për familjen e zotit Berisha, nëse ata janë OK kjo është edhe në të mirën e tyre. Meqë ka pasur dyshime është e udhës që të ketë një epilog juridik. Nuk ka nevojë që të themi se opinioni ka rëndësi në lidhje me këto dyshime për familjet Berisha, sigurisht duhet epilogu juridik, dhe të ketë hetime penale dhe civile për këto ngjarje, e që të mos ketë dyshime. Unë mendoj se këta duhet ti kishin ndjekur vetë ata një gjë të tillë ashtu siç ndodh në botën demokratike”, u shpreh Gashi në Breaking.

Avokati i njohur u shpreh se në kohën kur qeveriste Berisha ka pasur një rritje të të ardhurave të familjes Berisha dhe kjo tregon se kjo nuk është rastësi.

“Nuk mund të jetë rastësi, për familjarët e tij, për vajzën që kanë punuar në Kosovë, që kanë lidhje me familjen Berisha, që këta janë  biznensmenë që i përqendron paratë e tyre në arë. Prova ka qenë e lidhur me familjen Berisha, bizneset kur nuk ishte në pushtet bizneset janë ndalur dhe nuk kishte një filtër. Bizneset e huaja që duhet të investonin duhet filtroheshin përmes familjes Berisha”, tha Gashi.

Ai shtoi se duhet që SPAK të realizojë këto hetime për shuar çdo dyshim të hedhur ndër vite nga shkrimet investigative të realizuara nga mediat.

“Unë besoj se ka pasur edhe marrëveshje politike që nuk mund të ti vërtetoj që familja Berisha para tetë vite që të mos bezdisej me çështje penale. Duhet të ketë një hetim të mirëfilltë tani pasi procesit të Vettingut, SPAK i ka të gjitha kompetencat të bëjë një hetim të mirëfilltë dhe të mos mbesin rrugës. Ne duhet të kemi një gjykim të plotfuqishëm, secili ka të drejtë të prezumojë pafajësinë edhe duhet të kërkohet edhe prej tyre. E përveç familjes Berisha ka pasur edhe persona të tij si ministra, Basha ai ishte i përfshirë në Rrugën e Kombit për 230 milionë euro. SPAK duhet ta tregojë vetveten për këtë, përndryshe për çfarë arsye shqiptarët harxhojnë lekët nëse nuk janë në gjendje të hetohen për personat e ndërlidhur me familjen Berisha. Nuk duhet të konsiderohet si hakmarrje politike në gjë e tillë”, tha Gashi.