Një përleshje e përgjakshme ka ndodhur në qytetin e Vardës, në Patra të Greqisë, ku një shqiptar 46-vjeçar ka sulmuar me thikë dy vëllezër, duke i plagosur rëndë. Ngjarja ndodhi të dielën, më 3 mars, pas një debati të ashpër mbi një borxh të pakthyer.
Sipas raportimeve të mediave greke, agresori kishte shkuar në banesën e dy vëllezërve, 37 dhe 41 vjeç, për të kërkuar borxhin e tij të pretenduar. Takimi mes tyre shpejt degjeneroi në një përplasje të dhunshme, ku 46-vjeçari nxori dy thika dhe i goditi vëllezërit në shpinë, duke i lënë të plagosur rëndë.
Një prej viktimave ndodhet në gjendje kritike për jetën dhe po trajtohet në Infermierinë Pirgos, ndërsa vëllai tjetër ka marrë plagë më të lehta. Autoritetet ndërhynë menjëherë, duke arrestuar autorin e dyshuar, i cili u dërgua në Prokurorinë e Shkallës së Parë Ilia, pranë Gjykatës së Amaliadës.
Në dëshminë e tij para autoriteteve, 46-vjeçari ka pretenduar se dy vëllezërit i kishin borxh dhe se ata e kishin sulmuar të parët, duke u përpjekur ta rrihnin. Ai ka deklaruar se e ka përdorur thikën për vetëmbrojtje. Megjithatë, dëshmitë dhe provat e mbledhura nga hetuesit tregojnë se ai i ka goditur dy vëllezërit me disa plagë në pjesën e pasme të trupit, çka përforcon akuzën e një sulmi të qëllimshëm.
Ndaj tij janë ngritur akuza për vrasje me dashje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Seanca për caktimin e masës së sigurisë do të mbahet më 6 mars, ku pritet që ai të kërkojë falje dhe të izolohet në paraburgim.