Një restorant në Prishtinë ka zgjedhur një mënyrë ndryshe për të pritur tifozët turq që kanë ardhur për ndeshjen e mbrëmjes, duke u ofruar kafe dhe çaj falas.

Gjesti simbolik është bërë publik përmes një fotografie të vendosur në hyrje të lokalit, e cila po qarkullon me shpejtësi në rrjete sociale.

“Sot rivalë, por gjithmonë miq”, shkruhet në tabelë, ndërsa mesazhi vijon me një falënderim të drejtpërdrejtë: “Kafe dhe çaj falas për tifozët turq. Borxhin e keni larë në 1999”.

Ky veprim është parë nga mediat në Kosovë si një shenjë mirënjohjeje dhe respekti, pavarësisht rivalitetit sportiv në fushë.

Ndërkohë, ndeshja Kosovë–Turqi zhvillohet sonte në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 20:45, dhe pritet të sjellë emocione të forta për tifozët e të dyja skuadrave.