Sot, paratë e pista udhëtojnë përtej kufijve, pa u ndalur në doganë, pa pyetje, pa emër. Transformohen në bitcoin, shpërndahen në dhjetëra “wallet”-e virtuale, dhe kthehen pas si para të pastra, gati për t’u investuar në biznese, në prona, në luks, në pushtet. Kjo është forma më moderne e pastrimit të parave.
“Ka kompani si chananalisis dhe arkand që bëjnë gjurmimin e këtyre portofolave, deri tani ata kanë pasur një rezultat shumë të mirë në gjurmimin e portofolave që janë të përfshira në pastrimin e parave apo aktiviteteve të paligjshme, duke arritur të identifikojnë mënyrën sesi këto fonde kanë lëvizur, mënyrën sesi janë transferuar në portofola të tjera për ta bërë më të vështirë gjurmimin e tyre”, u shpreh eksperti i kriptos Dorian Kane.
“Një transaksion bankar është shumë herë më i sigurt dhe më i kontrollueshëm sesa një transaksion wallet që bëjnë individët, pasi në transaksionin bankar personi identifikohet nëpërmjet bankës që është ndërmjetëse dhe personit tjetër pritës që i transferohen këto lekë. Ndërsa në transaksionin me bitcoin, e ke të pamundur të identifikosh pasi këta identifikohen nëpërmjet një kodi numerik, alfa numerik dhe nuk ka të dhëna në lidhje me dërguesin dhe pritësin e këtij chenxhi”, u shpreh avokati Dritan Jahaj.
Një sistem i ndërtuar mbi iluzionin e lirisë financiare, që në fakt sot shihet si streha më e sigurt e krimit të organizuar. Dhe pas këtij sistemi, nuk qëndrojnë vetëm njerëz nga bota e errët e krimit. Pas kësaj skeme nuk pastrohen vetëm paratë e gjakut, e trafiqeve, por edhe ato të përfitimit nga mashtrimet me call center. Pas kësaj skeme qëndrojnë njerëz që nuk kanë parë asnjëherë bursën, por dinë si të manipulojnë sistemet më të avancuara të teknologjisë financiare.
“Metodat e reja kanë fatkeqësinë që nuk kanë një historik të madh dhe padyshim, aspekti i mungesës së dijenive, trajnimeve të të qenit në paravijë, mungon. Por, përsa kohë ne po e diskutojmë, kjo do të thotë që duhet vëmendje të drejtohet edhe në këtë sektor, padyshim që elementi kryesor është bashkëpunimi ndërkombëtar. Shtetet e tjera kanë historik më shumë se sa Shqipëria”, u shpreh pedagogia Nadia Elbasani.
“Kjo është një gjë që bëjnë shumë premtime, premtime që nuk janë të vërteta, pra vetëm nga mënyra sesi ato të prezantohen, mënyra sesi ato të kontaktojnë, mënyra sesi ato të prezantohen për të marrë një shërbim apo për të shitur ndonjë produkt, janë këto mënyra që nuk përdoren nga faqet e mëdha zyrtare që janë të licencuara”, u shpreh eksperti i Kripto Dorian Kane.
Ata fshihen pas zyrave me xhama të errët në qendër të Tiranës, ku dikush përditë ngre një kufje, dhe me zë të qetë, i thotë një investitori diku në Itali: “Po, zotëri. Keni bërë zgjedhjen e duhur. Do të fitoni shumë….”
Aty fillon gjithçka, një mashtrim global që shndërron kursimet e njerëzve në kriptovaluta, dhe më pas në asetet e një rrjeti kriminal që di vetëm të zhdukë gjurmë.
“Ne nuk arritëm të rikuperojmë para për momentin. Nëpërmjet mekanizimit të Bitcoin, është shumë e vështirë të rikuperohen para”.
Kjo deklaratë, pohon faktin se krimi nuk është më në rrugë, ai është në “cloud”. Dhe gjurmët e tij nuk lihen më nëpër kasaforta, por në blockchain, një hapësirë dixhitale që pak kush di ta lexojë.
“Është një sektor që ka vështirësi të mëdha është i ri si sektor. Dhe patjetër që zhvillimi i tij do duhet të jetë paralel edhe nga aspekti i burimeve njerëzore të administratës shtetërore të institucioneve shtetërore. Bashkëpunimi ndërinstitucional dhe bashkëpunimi ndërkombëtar është elementi kyç, që na bën të ecim paralelisht me të gjithë organet e tjera shtetërore dhe shtetet e tjera për sa i përket pastrimit të parave përmes kriptovalutave”, u shpreh Nadia Elbasani.



