Nikolin Janina, biznesmeni shqiptar i shpallur në kërkim nga autoritetet spanjolle është lënë në burg nga Gjykata, duke mos u ekstraduar. Gjykata ka vendosur që Janina të qëndrojë i izoluar në vendin tonë deri në mbërritjen e dosjes së plotë nga Spanja.

Janina u arrestua ditën e premte për llogari të drejtësisë spanjolle, ndërsa akuzohet si kreu i një grupi të strukturuar kriminal që tregton lëndë narkotike, heroinë, morfinë dhe opium në disa vende të Bashkimit Evropian.

Janina e mbulonte aktivitetin e tij kriminal me një kompani hidrosanitaresh në vendin tonë, ndërsa po ashtu kishte dhe një sërë pasurish, të cilat i janë sekuestruar nga drejtësia. Nga ana tjetër, drejtësia Spanjolle ka proceduar në 15 prill 2016 me nxjerrjen e emrit të biznesmenit Nikolin Janina, në listën e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.