Autoritetet në Greqia kanë arrestuar dy të rinj në Athinë, të dyshuar për përfshirje në aktivitet kriminal të lidhur me një grup të organizuar me origjinë shqiptare.
Ngjarja ka ndodhur më 14 prill në zonën e Agios Panteleimonas, ku gjatë një patrullimi rutinë, efektivët e njësisë DI.AS. ndaluan një 22-vjeçar të huaj dhe një 19-vjeçar grek, të cilët u konsideruan të dyshimtë.
Gjatë kontrollit fizik, policia u gjeti 61 doza kanabisi me peshë totale rreth 89 gramë, të ndara dhe gati për shpërndarje, si dhe 520 euro që dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti i paligjshëm.
Hetimet zbuluan se të rinjtë dyshohet se vepronin nën urdhrat e Eno Alexandros Mata, një person i njohur për drejtësinë greke, i cili aktualisht ndodhet i burgosur në Malandrino.
Gjatë një kontrolli të mëvonshëm në banesën e 22-vjeçarit, nga efektivët e strukturave hetimore në Athinë, u sekuestruan edhe 92 gramë kanabis, dy peshore elektronike, një sasi e konsiderueshme qesesh najloni për paketim, si dhe sende të forta si një grusht hekuri dhe një thikë palosëse.
Sipas autoriteteve, i njëjti person, Eno Alexandros Mata, rezulton i përfshirë edhe në çështje të tjera të rënda, përfshirë vrasjen e avokatit Michalis Zafeiropoulos në vitin 2017, si dhe një rast zhvatjeje në Selanik.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrjetin dhe aktivitetin e grupit kriminal.
