Pas disa vitesh qëndrimi në Emiratet e Bashkuara Arabe, Denis Matoshi, i njohur edhe me mbiemrin Dizdari dhe me pseudonimet “Alduth” e “Shqiptari i Gjatë”, është ekstraduar në Belgjikë. 37-vjeçari është vendosur menjëherë në një institucion penitenciar, ku do të vuajë dënimin e dhënë ndaj tij dhe do të përballet me procedurat e tjera gjyqësore.

Ekstradimi u konfirmua nga ministrja belge e Drejtësisë, Annelies Verlinden. Sipas saj, transferimi u bë i mundur falë bashkëpunimit mes autoriteteve belge dhe atyre të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Matoshi ishte arrestuar në Dubai rreth dy vite më parë, pas një kërkese të drejtësisë belge. Prokuroria e Antwerp kishte kërkuar kthimin e tij në Belgjikë, ndërsa procedurat për ekstradimin përfunduan këtë javë.

Ai u nis të mërkurën nga Emiratet dhe disa orë më vonë avioni mbërriti në aeroportin ushtarak të Melsbroek. Prej aty, 37-vjeçari u dërgua nën masa sigurie drejt një burgu belg.

Emri i Matoshit është përfshirë në hetimet belge për trafikun ndërkombëtar të kokainës. Autoritetet e konsiderojnë atë një nga figurat drejtuese të organizatës kriminale shqiptare të njohur si “Kompania Bello”.

Në kuadër të dosjes së trafikut të drogës të njohur si “Yaramis”, drejtësia belge e dënoi këtë vit Matoshin me 10 vite burg dhe 80 mijë euro gjobë.

Gjykata vendosi gjithashtu konfiskimin e rreth 7.5 milionë eurove, shumë që sipas autoriteteve belge lidhet me të ardhura të përfituara nga aktiviteti kriminal që i atribuohet atij.

Hetimet e prokurorisë së Antwerp përfshijnë edhe aktivitetin e dyshuar të grupeve kriminale brenda një prej porteve më të rëndësishme të Europës.

Sipas dosjes hetimore, pasi grupi i njohur si klani Yaramis humbi pozicionet që kishte krijuar në portin e Antwerp, mes konflikteve të brendshme dhe presionit të hetimeve, Matoshi dyshohet se krijoi bashkëpunime të reja.

Prokuroria pretendon se ai bashkëpunoi me Omar Govers dhe Najim E.M., ndërsa grupi dyshohet se kishte ngritur një mekanizëm për nxjerrjen e ngarkesave me kokainë nga porti.

Në fokus të hetimeve janë veçanërisht kalatat 1700 dhe 1742, të cilat, sipas autoriteteve, përdoreshin për të tërhequr ngarkesat e drogës që mbërrinin në Antwerp.

Një tjetër element i dosjes lidhet me komunikimet e siguruara nga platforma e koduar Sky ECC.

Sipas hetuesve, zbërthimi i këtyre komunikimeve ka nxjerrë të dhëna për dy transporte të mëdha parash që dyshohet se janë kryer për llogari të Matoshit gjatë viteve 2020 dhe 2021.

Shuma e përgjithshme e parave të transportuara dyshohet se arrinte në rreth 1.75 milionë euro. Kjo pjesë e hetimit që lidhet drejtpërdrejt me Matoshin është veçuar nga dosja tjetër dhe pritet të trajtohet në një proces të mëvonshëm.

Ministrja belge e Drejtësisë e përdori ekstradimin edhe për të përcjellë një mesazh mbi bashkëpunimin ndërkombëtar kundër trafikut të narkotikëve.

Duke njoftuar operacionin, Verlinden deklaroi se bashkëpunimi me Emiratet e Bashkuara Arabe dëshmon se për personat e kërkuar për trafik droge “nuk ka strehë të sigurta”.

Autoritetet belge nuk kanë bërë publike hollësi të tjera mbi procedurën e ekstradimit apo burgun ku është dërguar Matoshi.

Me mbërritjen e tij në Belgjikë, 37-vjeçari tashmë ndodhet fizikisht në dispozicion të drejtësisë belge, ndërsa ndaj tij mbeten për t’u trajtuar edhe pjesë të tjera të dosjeve ku emri i tij është përfshirë.