Arif Kurti drejtonte me një “BlackBarry” trafikun e drogës nga qelia. Në Amerikë futi tonelata kokainë nga Meksika


Sokol Çobo


Arif Kurti, i arrestuar për trafik droge në Shqipëri, që nga shtatori i vitit 2008, ia ka dalë që të “komandojë” nga burgu një pjesë të mirë të bandës me 37 anëtarë që u arrestuan në SHBA. I cilësuar si një nga “kapot autoritarë” të bandës që kryente trafik droge në tri kontinente, Kurti ka dhënë instruksione për lëvizjen e drogës dhe aktivitetin kriminal, edhe pse ndodhej në burg në Shqipëri. E gjitha kjo është realizuar me një telefon celular “BlackBerry”. Megjithëse ishte dënuar në Shqipëri me 5 vite burg, 41-vjeçari ka mundur të drejtojë rrjetin kriminal në SHBA, madje të urdhëronte blerjen dhe shpërndarjen e qindra kilogramëve kokainë. Drejtësia amerikane ka kërkuar disa herë ekstradimin e këtij shtetasi për llogari të FBI-së, e cila ka mundur të përgjojë të gjithë rrjetin prej 37 anëtarësh. Megjithatë, depërtimi i tij u “pengua”, pasi i shumëkërkuari ishte dënuar më parë në Shqipëri, dhe sipas ligjeve shqiptare, duhet të përfundonte dënimin dhe më pas të ekstradohej. Burime pranë Ministrisë së Drejtësisë pohojnë se është aprovuar kërkesa e amerikanëve, pasi rezulton se Kurti ka përfunduar dënimin e dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda.


 


Trafiku nga qelia


Sipas dosjes që ka mbërritur në prokurorinë shqiptare, Kurti ka kryesuar një organizatë kriminale në SHBA, madje ka arritur të trafikojë tonelata me heroinë dhe kokainë vetëm me urdhra në internet. Ai ishte dënuar në Shqipëri me pesë vite burg dhe po vuante dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme. Gjatë qëndrimit në qeli, sipas hetimeve nga FBI-ja, Kurti ka arritur të ketë në përdorim një telefon celular, madje edhe të tipit të fundit, “BlackBerry”, dhe me shërbimin e internetit ka arritur t’u japë urdhra bashkëpunëtorëve të tij. Sipas dosjes amerikane, ky i dënuar ka pasur bashkëpunëtorë përtej Atlantikut, Xhavit Thaçin dhe Gjevelin Berishën, me të cilët shkëmbente e-mail dhe komunikonte në uebsajtet sociale. Mësohet se në këto biseda është dhënë urdhër për të kryer trafikim heroine dhe kokaine nga minigrupet në Meksikë dhe SHBA.


 


Dënimi në Shqipëri


Kurti është shpallur fajtor në vendin tonë për akuzën e trafikut të lëndëve narkotike, duke u dënuar me pesë vjet heqje lirie. Ai është arrestuar në vitin 2008, gjatë operacionit të koduar “Tifozët”. 41-vjeçari Arif Kurti, lindur në Bronks të Nju Jorkut dhe banues në Gjakovë, u identifikua në bazë të gjurmëve të gishtërinjve që u gjetën në qesen me drogë, e cila iu sekuestrua tre maqedonasve. Bashkë me Kurtin u arrestua edhe Francesk Shkëmbi dhe këta persona dyshoheshin të kenë kryer një pjesë të transportit të 4 kilogramëve heroinë, të cilën më pas e dorëzuan te tre maqedonasit. Në Durrës u arrestuan tre maqedonasit Isein Nasufi, 41 vjeç, me detyrë punonjës i policisë kufitare maqedonase, Dritan Gjura, 33 vjeç, dhe Madrit Istrefi, 30 vjeç. Këta të fundit deklaruan në polici se ishin nisur drejt Tiranës për të ndjekur ndeshjen e futbollit Shqipëri-Suedi, por policia bëri të ditur se kishte prova të mjaftueshme që ata ishin anëtarë të një rrjeti të trafikut të heroinës. Hetimet e mëtejshme çuan në zbulimin e emrave të dy bashkëpunëtorëve të tjerë të tre maqedonasve. Dy shqiptarët Francesk Shkëmbi dhe Arif Kurti dyshoheshin se ishin pjesë e këtij rrjeti të trafikut të drogës që vinte nga Maqedonia.


 


Dosja në SHBA


Hetimet në SHBA vijojnë për grupin e Kurtit dhe Xhavit Thaçit dhe Gjevelin Berishës, të cilët rrezikojnë një dënim të detyrueshëm prej 25 vitesh burg dhe një dënim maksimal me burgim të përjetshëm. Një gjykatë federale e Bruklinit në Nju Jork ngriti akuza kundër 37 pjesëtarëve dhe bashkëpunëtorëve të një rrjeti ndërkombëtar të drogës, që sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, drejtohej nga shqiptarë me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Kanada dhe Europë. Sipas autoriteteve amerikane, shumica e të pandehurve u arrestuan në Nju Jork, Nju Xhersi, Kolorado dhe Florida. Njëri nga drejtuesit e rrjetit të dyshuar u arrestua në Shqipëri. Sipas aktakuzës të paraqitur nga autoritetet amerikane, rrjeti përfshin disa familje shqiptare të lidhura me qindra punëtorë dhe klientë në tri kontinente. Ky rrjet, i cili vepronte prej më shumë se një dekade, mendohet se është përgjegjës për importimin dhe shpërndarjen e dhjetëra mijëra kilogramëve marijuanë nga Kanadaja dhe Meksika, sasi të konsiderueshme të MDMA-së nga Holanda dhe Kanadaja, qindra kilogramëve kokainë nga Meksika, Kolumbia, Venezuela dhe Peruja, si dhe sasi të mëdha pilulash, si oksikodonë. Droga shpërndahej në vende të ndryshme të Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë Nju Jorkun, Kaliforninë, Xhorxhian, Koloradon dhe Floridën, si dhe në Kanada dhe Europë.


 


Gjyqi


Nëse shpallen fajtorë, tre krerët Xhavit Thaçi, Arif Kurti dhe Gjevelin Berisha, rrezikojnë dënimin maksimal me burgim të përjetshëm