Në qendër të dosjes AKSHI, përpos zhvatjes së dhjetëra miliona eurove përmes tenderave të paracaktuar, një prej ngjarjeve të konsideruara më të rënda ishte denoncimi i biznesmenit Gerond Meçe për pengmarrje.
Një akt që, çuditërisht, ai vendosi të mos e denoncojë fillimisht, por u mjaftua duke mbledhur prova ndaj kundërshtarëve. Kjo e kishte një shpjegim. Bosi i kompanisë “Advanced Business Solution”, dikur ishte përfituesi numër 1 i tenderave të AKSHI-t. Në periudhën 2019-2026 ai arkëtoi rreth 40 milionë euro vetëm nga AKSHI. Në investigimin e publikuar më 11 shkurt 2026, ne zbuluam se si ky personazh kishte përfituar dhjetëra milionë euro në tendera sekretë apo prokurime me flamur të kuq. Po ashtu, ai kishte ngritur një skemë të madhe qarkullimi parash përmes raporteve fiktive të faturuara me kompani satelite të kontrolluara nga ai.
Madje, në vitin 2023, SPAK ka regjistruar procedimin numër 146 për tenderin e laboratorëve SMART për Ministrinë e Arsimit. Sipas informacioneve që janë mbajtur konfidenciale nga SPAK, Gerond Meçes i janë bërë kontrolle në banesë dhe zyra. Por, pavarësisht zgjerimit të hetimeve të SPAK duke shtuar akuzat për disa persona dhe subjekte, nuk kishte asnjë gjurmë për Gerond Meçen dhe kompanitë e tij. Përkundrazi, Meçe është rikthyer njeriu dominant i tenderave pas goditjes së rivalit të tij, Ermal Beqiri.
“Absolutisht, fatkeqësisht janë fiks sipas librave të manualit të gjitha skemat që ndiqen për pastrimin e parave. Një skemë tipike në të cilën kemi disa elementë të asaj që quhen “kickback”, pra para të cilat rikthehen nëpërmjet firmave të lidhura me njëra-tjetrën apo edhe para të cilat fshihen nëpërmjet aseteve të luajtshme apo të paluajtshme, siç janë pasuritë e paluajtshme apo siç është rasti i jahtit p.sh.”-, u shpreh gazetari Emirjon Senja.
Përgjatë muajve të fundit, që përkojnë me goditjen e drejtueses së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, biznesmenëve Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, kompania ‘Advanced Business Solution’ e Meçes është kthyer dominuese.nReferuar këtij vendimi të Agjencisë së Prokurimit Publik, që mban datën 1 prill 2026, kompania ABS u shpall fituese e procedurës për ndërtimin e Sistemit Informatik të Menaxhimit të Proceseve të Brendshme për Drejtorinë dhe institucionet e vartësisë. Oferta fituese ishte 221 milionë lekë ose rreth 2.2 milionë euro pa TVSH. Nëse shikon me vëmendje, procedura ishte hapur që në vitin 2025, por për gati 10 muaj mbeti e bllokuar pas ankesës së Meçes.
Në fund, KPP pranoi ankesën dhe riktheu në garë biznesmenin që tashmë kishte rrugën e lirë. Nëse shikon dokumentet e tenderit, bie në sy fakti se nga 5 kompani pjesëmarrëse, 2 prej tyre nuk kanë paraqitur asnjë ofertë ekonomike, duke ngritur dyshimet për fiktivitetin e tenderit.
“Në rast se afera është e atillë që i është premtuar një firme që ai prokurim do t’i shkojë asaj, ndodh rëndom ajo që quhet ‘zarfet bosh’. Dy ose tre firma të tjera, për të krijuar idenë e garës, futen por pa një qëllim për t’u shpallur fitues, sepse shumica e tyre nuk paraqesin as ofertë ekonomike reale dhe as dokumentacion mbështetës. Në këtë kuptim, ajo bëhet thjesht për të plotësuar numrin e operatorëve në garë”-, u shpreh Ermal Hamataj, avokat.
“Thjesht futen duke u bërë pjesë e procedurës për të marrë informacion se çfarë do të ndodhë me këtë tender, sepse kur ti je pjesë e tenderit mund të kesh informacion paraprakisht për vlerësimin e ofertave etj. Ajo që dyshohet se ka ndodhur me tenderat e AKSHI-t është që kompanitë janë futur në mënyrë fiktive për të krijuar idenë e garës në një tender të caktuar. Kostot e tenderave fryheshin në mënyrë të palogjikshme dhe qëllimi final ishte që të gjeneroheshin para”, u shpreh gazetari Emirjon Senja.
ABS fitoi një tjetër tender sipas njoftimit publik të bërë më 1 prill 2026. Procedura kishte objekt përmirësimin e sistemit të pagesave ‘e-dëmshpërblime’. Vlera e ofertës fituese ishte rreth 25 milionë lekë pa TVSH ose rreth 250 mijë euro. Ajo që bie në sy është fakti se edhe në këtë rast, 2 nga 4 konkurrues nuk paraqesin ofertë ekonomike, duke i lënë rrugën e lirë subjektit të Gerond Meçes, që në këtë tender lidhi ortakëri me kompaninë “Datalog”.
Në mars 2026, ABS fiton një tjetër tender rreth 2.5 milionë lekë me autoritet prokurues ‘Ujësjellës Kanalizime Tiranë’. Sërish, nga 4 pjesëmarrës, 2 prej tyre nuk paraqesin ofertë ekonomike. Pra, këtu shihet se si subjekti zgjeron ndikimin edhe në institucione të tjera. Pyetja që ngrihet natyrshëm është se si mundet që një kompani e hetuar për tendera të dyshimtë rikthehet në tabelat e fituesve në normalitet…
“Po, është një rast i cili çuditërisht, një kompani për të cilën madje SPAK-u, më saktë GJKKO, ka urdhëruar sekuestron e një pasurie të caktuar, një shumë parash për llogari të kësaj kompanie, shpallet fituese në një tender. SPAK-u, duke qenë se është ende duke hetuar dhe mendoj se është duke u bërë një hetim rigoroz sa i përket dosjes së AKSHI-t, jam i sigurt që do të gjejë shkaqet që kanë çuar këtë zyrtar ose këtë KVO, komision vlerësimi të ofertave, që të shpallë fituese këtë kompani, e cila në fakt është nën hetim”, u shpreh gazetari Emirjon Senja.
