Tel Avivi vihet nën presion nga shumë vende për të ndaluar ndërtimet e reja në tokat e pushtuara
Jeffrey Heller, Reuters
Britania dhe Franca deklaruan se do të marrin masa kundër Izraelit në rast se qeveria e këtij vendi nuk e anulon vendimin e javës së kaluar për ndërtimin e një vendbanimi të ri në tokat e pushtuara palestineze. Vendimi i Kryeministrit Benjamin Netanyahu erdhi pasi OKB vendosi të njohë Palestinën si një vend vëzhgues në Asamblenë e Përgjithshme, duke pranuar de fakto ekzistencën e Palestinës si shtet.
Gjermania i kërkoi Izraelit të përmbahet nga dëshira për zgjerimin e vendbanimeve hebraike në Bregun Perëndimor dhe Rusia tha se e shikon planin për ndërtimin e më shumë shtëpive me shqetësim të madh.
Burime diplomatike bënë të ditur se Londra dhe Parisi po mendonin për hapin e paprecedent të tërheqjes së ambasadorëve të tyre nga Izraeli, por për momentin besohet se ka ende mundësi për të shmangur një krizë të thellë.
“Ka mënyra të tjera përmes të cilave ne mund të shprehim mosmiratimin tonë”, deklaroi një zyrtar i Ministrisë së Jashtme Franceze pasi burimet diplomatike bënë të ditur rrezikun e tërheqjes së ambasadorëve. Qeveria e Francës thirri ambasadorin e Izraelit në Paris për t’i shprehur pakënaqësinë e vet, ndaj planeve për ndërtimin e vendbanimeve të reja.
Britania tha se edhe ajo e kishte thirrur ambasadorin në Ministrinë e saj të Jashtme për t’i bërë të ditur mendimin e Londrës. “Çdo masë tjetër nga ana e Mbretërisë së Bashkuar do të varet nga ecuria e diskutimeve me qeverinë e Izraelit dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në dhe Bashkimin Europian”, tha një zëdhënës.
E zemëruar nga vendimi i Asamblesë së Përgjithshme për përmirësimin e statusit të Palestinës në organizimin e qeverisjes botërore nga niveli i “entitetit vëzhgues” në nivelin e “vendit jo anëtar”, Izraeli deklaroi një ditë më vonë se do të ndërtojë 3 mijë shtëpi për kolonët e vet në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor. Projekte të tilla në të shkuarën, nëpër tokat që Izraeli ka pushtuar në luftën e vitit 1967 dhe në të cilat palestinezët kërkojnë të ndërtojnë një shtet, kanë hasur në një kritikë formale nga diplomacia botërore.
Por ndryshimi dramatik që Netanjahu duhej ta kishte parashikuar, po ngre një alarm të madh mes palestinezëve dhe kryeqyteteve të botës. Qeveria aktuale e Izraelit mbështet politikisht ndërtimin e vendbanimeve të reja. Ndërtimet planifikohen të ndërtohen në disa kodra të shkreta. Ato besohet se do të ndajnë Bregun Perëndimor në dy pjesë dhe do të ndalojnë ndërtimin e një shteti palestinez me vijimësi territoriale.
Edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon tha se vendimi i Izraelit “mund t’i japë goditjen fatale” bisedimeve të paqes përmes krijimit të dy shteteve. Britania bëri të ditur se nuk do të mbështesë hakmarrje të tepruara të Izraelit ndaj votimit në OKB, të cilin palestinezët e kërkuan pasi bisedimet për paqe u ndërprenë në vitin 2010 pikërisht për shkak të vijimit të ndërtimit të vendbanimeve hebraike.
“Ne na vjen keq për vendimin e fundit të Izraelit për të ndërtuar 3 mijë shtëpi të reja dhe të zhbllokojë zhvillimin në bllokun E1”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Britanisë. “Ne i kemi bërë thirrje qeverisë së Izraelit ta tërheqë vendimin”.
Tërheqja e ambasadorëve mund të jetë një goditje e fuqishme diplomatike ndaj Netanjahut, i cili arriti tri javë më parë të fitojë mbështetje të fuqishme nga Europa dhe SHBA për ofensivën e vet kundër Rripit të Gazës të qeverisur nga Hamas. Netanjahu do të përballet me zgjedhje më 22 janar dhe duket se është i favorizuar nga sondazhet. Ai ka rezistuar ndaj kritikave të brendshme dhe të jashtme ndërkohë që izolimi diplomatik i Izraelit po rëndohet. Ai i tha qeverisë të dielën se do të “vijojë ndërtimet në Jerusalem dhe në të gjitha vendet e tjera që përkojnë me interesat strategjike të Izraelit”.
Izraeli i ngriu planet për zhvillimin e vendbanimit E1 shumë vite më parë nën presionin e ish-presidentit të SHBA-së George W. Bush. Shumica e botës i konsiderojnë vendbanimet izraelite si ndërtime të paligjshme. Izraeli citon fragmente nga Bibla dhe e konsideron Jerusalemin si kryeqytetin e vet bazuar në të dhëna biblike. Rreth 500 mijë izraelitë jetojnë sakaq mes 2.5 milionë palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor.