Ligji që përcakton formulën e re për llogaritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve ka hyrë zyrtarisht në fuqi, pas publikimit në Fletoren Zyrtare.
Ligji nr. 95/2026 u miratua nga Kuvendi në orët e para të 18 shtatorit, rreth orës 01:30. Vetëm pak orë më vonë, ai u dekretua nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, duke i hapur rrugë publikimit dhe hyrjes së menjëhershme në fuqi.
Sipas ndryshimeve të miratuara, paga referuese bazë për funksionet në sistemin gjyqësor dhe të prokurorisë do të llogaritet në masën 0.38 të pagës së Presidentit të Republikës. Indeksimi i kësaj page do të kryhet me vendim të Këshillit të Ministrave dhe duhet të bëhet jo më vonë se dy vjet nga indeksimi i mëparshëm.
Në ligj përcaktohet gjithashtu se ndryshimi i pagës referuese bazë do të ketë efekt vetëm për gjyqtarët, prokurorët, si dhe anëtarët dhe kryetarin e Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkohë, për funksionarët dhe nëpunësit e tjerë publikë, pagat e të cilëve janë të lidhura me ato të gjyqtarëve ose prokurorëve, do të vazhdojë të zbatohet paga referuese bazë që ishte në fuqi përpara vendimit nr. 15, të datës 17 shkurt 2026, të Gjykatës Kushtetuese.
Ligji parashikon hyrjen e menjëhershme në fuqi, ndërsa efektet financiare do të llogariten në mënyrë prapavepruese duke nisur nga 1 prilli 2023. Ky efekt do të zbatohet vetëm për pagat e gjyqtarëve, prokurorëve, anëtarëve dhe kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.
