Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar ashpër ndaj rritjes së çmimit të karburanteve në vend, duke akuzuar tregtarët se kanë zgjedhur qëllimisht pragun e fundjavës për të shtrenjtuar naftën, në një periudhë kur lëvizjet e qytetarëve shtohen për shkak të sezonit turistik.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Braçe bëri të ditur se çmimi i naftës në treg varion aktualisht nga 214 deri në 216 lekë për litër, ndërsa nafta premium shitet nga 218 deri në 230 lekë për litër.
Sipas tij, rritja e çmimit në fillim të fundjavës nuk është rastësi, por një veprim i menduar nga operatorët e tregut për të përfituar nga fluksi i pushuesve.
“Nafta kërceu sot në 214-216 lekë për litër. Nafta më cilësore nis nga 218 dhe arrin në 230 lekë për litër. Tregtarët e rritën çmimin në nisje të fundjavës, kur ndodh fluksi më i madh i pushuesve. E qëllimshme? Ja bën muuuuuuu!”, shkroi Braçe.
Deputeti socialist përsëriti gjithashtu thirrjen për rikthimin e Bordit të Transparencës për karburantet, duke argumentuar se një mekanizëm i tillë do të ndihmonte në monitorimin e çmimeve dhe do të frenonte rritjet e menjëhershme e të pajustifikuara, në mbrojtje të konsumatorëve.
