Pavarësisht propozimeve për ndryshimeve dhe kundërshtive nga opozita, krah së cilëve u rreshtua edhe socialisti Erion Braçe, projektligji “Për tatimin mbi vlerën e shtuar” u miratua si u miratua siç Ministria e Financave kishte hartuar. Nisma ligjore me anë të së cilës mbështetet fermeri nëpërmjet rishikimit të skemës së kompensimit të prodhuesve bujqësorë, në fakt rezulton të ndihmojë vetëm një pjesë të vogël të tyre.
“Fermerë të pajisur me NIPT nga tatimet janë 10.149 për periudhën Janar-Shtator 2025, që kanë shitur tek blerës të cilët kanë lëshuar edhe autofaturë. Në total kemi 100 mijë fermerë me NIPT”, tha Drejtoresha e Përgjithshme e Politikave Fiskale në MF, Arjana Dyrmishi.
“Ju thatë që me NIPT nga tatimet janë 10.149 fermerë, po ata 90 mijë me NIPT nga QKB, që prodhojnë?”, u shpreh Braçe.
Të gjithë fermerët që kanë NIPT në tatime do të kompensohen me 10 për qind të vlerës së faturës që do ju japë grumbulluesi pasi tu blejë mallin. Problem konsiderohet dhe vetë skema e propozuar. Sipas deputetit të PS Erion Braçe dhe deputetit të PD-së Eno Bozdo, nuk zgjidhet problemi i fermerëve, ndaj duhet barazim i TVSH-së në bujqësi në 20 për qind. Në emër të Partisë Demokratike, Bozdo paraqiti edhe disa amendime ligjore.
“Unë nuk e di si i bëni ju analizat tuaja, se të vish të thuash që është më lirë prodhimi vendas në raport me atë të importit, i bie të jeni komplet jashtë realitetit në terren”, deklaroi Enno Bozdo.
Por propozimet nuk gjetën pëlqimin e socialistëve.
“Ne do të mbajmë skemën e TVSH në bujqësi që është propozuar edhe këshilli i Ministrave”, deklaroi zv.ministri Yzeiraj.
Kjo bëri që socialisti Braçe të hidhej në akuza të drejtpërdrejta për “financat”.
“Ky qëndrim refraktar ka sjellë këtë gjendje të bujqësisë sot, ka 4 vite me rënie. Ky qëndrim më bën të mendoj se Ministria e Financave ka qëllim këtë gjë, të ndryshojë strukturën e ekonomisë duke goditur sektorë që kanë një funksion shumë të gjerë”, tha socialisti.
Më herët në seancat dëgjimore në Komisionin e Ekonomisë, shoqatat e fermerëve dhe dhoma e tregtisë kundërshtuan skemën e TVSH-së në bujqësi, pasi problemi i fermerëve nuk zgjidhet me kompensimin 10 për qind por duhet të barazohet TVSH-ja në 20për qind si brenda vendit ashtu edhe jashtë, dhe të ketë rimbursim për litër qumësht, apo për hektar toke të mbjellë.
