Avokati i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Plarent Ndreca, u paraqit sot në Gjykatën e Posaçme të Apelit, ku pritet të shqyrtohet ankesa e Veliajt kundër vendimit të shkallës së parë për pezullimin e afateve të paraburgimit.
Ndërkohë, për të njëjtën ditë ishte parashikuar të mbahej seanca lidhur me çështjen ku Ndreca është i pandehur për “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera” gjatë kohës që ishte Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme. Ai dyshohet se ka përfituar nga tenderi i rikonstruksionit të katër komisariateve në vend.
As Ndreca, as avokati i tij, Ermal Yzeiraj, nuk ishin të pranishëm në seancë, pasi Ndreca zgjodhi të përqendrohej tek gjyqi i Veliajt. Si pasojë, seanca u shty për në datën 19 maj, ora 9:00.
Hetimet ndaj Ndrecës fokusohen në periudhën kur ai drejtonte administratën e Ministrisë së Brendshme, me dyshime për përfitime nga tendera publikë.
