Deputetja Marjana Koçeku, e cila pak ditë më parë njoftoi largimin nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe vijimin e mandatit si deputete e pavarur, ka reaguar sërish përmes një postimi në rrjetet sociale.
Në mesazhin e saj, Koçeku i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama dhe mazhorancës që të shpërndajnë Kuvendin dhe të shkojnë në zgjedhje të parakohshme, nëse janë të bindur për mbështetjen e tyre politike dhe për shumicën prej 83 mandatesh.
“Nëse jeni kaq të sigurt që unë nuk fitoj pa ju dhe ju i keni plot 83 mandate, atëherë shpërndajeni parlamentin, shkojmë në zgjedhje të parakohshme dhe masim forcat se kush fiton çka”, shkruan Koçeku.
Deputetja shprehet se mandati i saj tashmë “ka ardhur në vend të vet”, ndërsa ironizon edhe mundësinë e kandidimit në Tiranë, duke deklaruar se kësaj radhe do të zbresë në kryeqytet për të garuar politikisht.
Reagimi i Koçekut vjen një ditë pas largimit të saj nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, një lëvizje që ka nxitur debate dhe reagime në skenën politike shqiptare.
