Operacioni


BrazilForcat braziliane të sigurisë ndërhynë në një lagje të stërmadhe me baraka pranë aeroportit të Rio de Zhaneiros si pjesë e përpjekjeve për të spastruar territorin nga bandat e drogës para fillimit të Kampionatit Botëror të Futbollit më vonë këtë vit.


Lagjja “Mare Favela” konsiderohet si një nga zonat më të rrezikshme sa i përket trafikut të drogës në qytet. Autoritetet kanë nisur një program “pacifikimi” të lagjeve të barakave si pjesë e masave të sigurisë për Kampionatin Botëror, si dhe për lojërat Olimpike 2016 që do të zhvillohen në Rio.


Gjatë operacionit të së dielës u raportua se u kapën një numër i konsiderueshëm armësh zjarri. Operacioni filloi para agimit kur mbi 1 mijë policë të shoqëruar nga ushtarë dhe mjete të blinduara zunë pozicion në “Mare”, një nga lagjet më të mëdha me baraka të Rios.


Në këtë lagje banojnë rreth 120 mijë banorë. Autoritetet thonë se bandat e drogës në këtë zonë janë shtuar gjatë muajve të fundit pasi Brazili ka vënë nën kontroll shumë lagje të tjera me baraka. Autoritetet thanë se e gjithë zona u pushtua nga policia brenda 15 minutash pa dhënë shumë detaje. Programi për rikthimin e policisë nëpër lagjet me baraka, të cilat në Brazil njihen me emrin favelas, filloi në vitin 2008.