Policia ka goditur një tjetër rast ushtrimi prostitucioni në Durrës. Nën hetim janë vënë 4 persona, dy braziliane dhe dy shqiptarë.
Sipas policisë, dy shtetaset braziliane kishin marrë me qira një apartament në zonën e Vollgës dhe e kishin përshtatur për të ushtruar prostitucion. Po ashtu u proceduan edhe dy shqiptarë. Policia sekuestroi shuma parash në valuta të ndryshme, aparate celularë si dhe karta telefoni.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet faza e 14-të e operacionit policor të koduar “Storm”. Operacioni pas hetimeve dyjavore me metoda proaktive. Kishin marrë një apartament me qira, në zonën e Vollgës, lagjja nr. 1, Durrës, të cilin e kishin përshtatur me qëllim kryerjen e aktivitetit të ushtrimit të prostitucionit; procedohen penalisht dy shtetase braziliane. Procedohen për prostitucion edhe dy shtetas shqiptare. Sekuestrohen shuma parash, pasaportat e dy shtetaseve, blloqe shënimesh dhe 8 celularë.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e prostitucionit, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, me mbështetjen e Forcës së Posaçme Operacionale, finalizoi fazën e 14-të të operacionit policor të koduar “Storm”, i ndjekur me metoda speciale të hetimit për një periudhë 2-javore, për veprat penale “Prostitucion” dhe “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”.
Si rezultat i këtij operacioni u proceduan në gjendje të lirë shtetaset Th. C., 35 vjeçe, dhe A. F., 39 vjeçe, lindur në Brazil. Gjithashtu u proceduan në gjendje të lirë, për veprën penale “Prostitucioni”, edhe dy shtetas E. D. dhe S. A., banues në Durrës.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithsej 1 080 euro, 116 700 lekë, 120 dollarë amerikanë, 80 paund britanikë, 150 franga dhe 3 430 dinarë, si dhe dy pasaporta të shtetaseve të huaja, 8 aparate celularë, karta telefoni dhe blloqe shënimesh. Nga veprimet hetimore të kryera për nevoja të këtij procedimi rezultoi se këto shtetase kishin marrë një apartament me qira, në zonën e Vollgës, lagjja nr. 1, Durrës, të cilin e kishin përshtatur me qëllim kryerjen e aktivitetit të ushtrimit të prostitucionit.
Materialet proceduriale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.



