Një hetim i gjerë i antimafias italiane në Romë ka nxjerrë në dritë një dosje të rëndë kriminale që përfshin trafik droge, rrëmbime dhe kërcënime me vdekje mes grupeve të organizuara.

Në qendër të hetimeve ndodhet Manuel Grillà, i cili sipas autoriteteve dyshohet se ka pasur lidhje dhe bashkëpunim edhe me Elvis Demçe.

Sipas dosjes hetimore, konflikti mes grupeve kriminale nisi pas humbjes së një sasie droge me vlerë nga 150 deri në 200 mijë euro, situatë që çoi në përshkallëzim të dhunës dhe hakmarrjeve.

Hetuesit italianë bëjnë me dije se për të rikuperuar drogën dhe paratë e humbura, anëtarët e grupit kriminal kanë rrëmbyer babain e një ish-bashkëpunëtori të tyre, duke ushtruar presion ndaj familjes përmes kërcënimeve të drejtpërdrejta.

Në materialet e sekuestruara nga prokuroria përfshihen mesazhe dhe fotografi kërcënuese, ku viktima shfaqej nën kërcënimin e armëve, ndërsa autorët paralajmëronin se pengu do të ekzekutohej nëse nuk ktheheshin paratë dhe droga.

Dosja përmban gjithashtu dëshmi të një bashkëpunëtori të drejtësisë, i cili ka zbuluar lidhjet mes organizatave kriminale që veprojnë në Romë dhe konfliktet e vazhdueshme për kontrollin e trafikut të narkotikëve.

Sipas autoriteteve italiane, grupet kriminale jo vetëm bashkëpunojnë në trafikun e drogës, por përfshihen edhe në përplasje të dhunshme për territore dhe fitime, ndërsa disa nga drejtuesit dyshohet se vijojnë të japin urdhra edhe nga burgu përmes komunikimeve të fshehta.

Hetimi konsiderohet nga antimafia italiane si një tjetër provë e nivelit të lartë të organizimit dhe brutalitetit që karakterizon botën e krimit të organizuar në Itali.