Katër persona mbetën të plagosur në një atentat me armë zjarri që ndodhi mbrëmjen e së enjtes në zonën e Lundrës, në periferi të kryeqytetit.
Mes të plagosurve janë edhe dy të mitur, të moshave rreth 11 dhe 17 vjeç, të cilët ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e Traumës.
Të plagosur mbetën gjithashtu edhe dy shtetasit K. M., 19 vjeç, dhe A. S., 34 vjeç. Sipas burimeve të para, të katërt janë familjarë të pronarit të një kompanie sigurimi në Tiranë.
Ata ishin duke udhëtuar me një automjet tip “G Class” kur u qëlluan me breshëri plumbash nga persona ende të paidentifikuar. Pas atentatit, autorët u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe më pas dogjën automjetin e përdorur, në përpjekje për të humbur gjurmët.

Policia ka ngritur pika kontrolli në zonën e Lundrës dhe në pika kyçe të Tiranës për të identifikuar dhe arrestuar autorët.
Motivi i ngjarjes mbetet ende i paqartë, ndërsa hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të atentatit tronditës.
