Mbretëresha e Britanisë së Madhe, Elizabeta, dhe ish-komandanti i IRA-s, Martin MekGinis, janë përshëndetur sot me shtrëngim duarsh, në një gjest simbolik pajtimi, 14 vite pasi Armata Republikane Irlandeze, (IRA), përfundoi luftën e saj të armatosur kundër pushtetit britanik në Irlandën Veriore.


Takimi në Belfast ndërmjet Mbretëreshës dhe zotit MekGinis ishte i karakterit privat. Aktualisht, Martin MekGinis është zëvendëskryeministër në qeverinë e unitetit të Irlandës Veriore.

Gjatë tri dekadave të dhunës sektare ndërmjet nacionalistëve romano-katolikë, që dëshironin një Irlandë të bashkuar, dhe unionistëve protestantë, që dëshirojnë që Irlanda Veriore të mbetet pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, janë vrarë së paku 3600 vetë, përfshirë më tepër se 1000 ushtarë britanikë.


IRA ka vrarë kushëririn e Mbretëreshës, Lordin Louis Mountbatten, në vitin 1979. Lordi Montabatten ishte xhaxhi i burrit të Mbretëreshës, Princit Filip dhe u vra në një atentat, kur anija e tij shpërtheu në Republikën e Irlandës. Tre vete humbën jetën, përfshi edhe nipin e tij 14-vjeçar, nga ky atentat. Takimi historik në Belfast ndodh 14 vjet, pasi IRA ndërpreu betejën e saj ndaj pretendimit britanik për provincën, që u mbyll me marrëveshjen  e paqes në vitin 1998.

27 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)