Britania po ndërmerr një sërë ndryshimesh të ashpra në ligjin e emigracionit, në kuadër të një fushate të re për “të rikthyer kontrollin e kufijve”, siç ka deklaruar qeveria.
Masat synojnë reduktimin e emigracionit ilegal dhe kufizimin e rasteve të abuzimit me sistemin e azilit, dhe pritet të godasin drejtpërdrejt mijëra emigrantë, përfshirë shqiptarët që jetojnë prej vitesh në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas burimeve zyrtare, sekretarja e Brendshme pritet të shpallë masa të reja që përfshijnë: rishikimin e statusit të refugjatëve, kufizime të ashpra për hyrjet e reja dhe ndalime shumëvjeçare për shkelësit e ligjit të emigracionit. Këto masa vijnë mes presionit politik nga opozita konservatore dhe partia anti-emigracion Reform UK.
Heqja e shtetësisë britanike
Një nga ndryshimet më të forta parashikon mundësinë për të hequr shtetësinë britanike personave që e kanë marrë atë përmes mashtrimit me identitet – përfshirë ata që kanë përfituar amnisti në periudhën 2003–2006. Personat që njoftohen për nisjen e procedurës kanë vetëm 14 ditë kohë për apelim.
Ndalime hyrjeje 1 deri në 10 vite
Duke nisur nga 11 nëntori 2025, çdo person që ka hyrë ilegalisht, ka thyer vizën ose ka qëndruar më gjatë se afati, do të përballet me:
- Refuzim automatik të çdo aplikimi
- Ndalim hyrjeje nga 1 deri në 10 vite, edhe nëse ka lënë vendin vullnetarisht
Si preken konkretisht shqiptarët?
Largimi vullnetar: Shqiptarët që kanë hyrë ilegalisht dhe largohen vetë me biletë të prerë, do të kenë ndalim hyrjeje për 12 muaj.
Dëbimet e paguara nga shteti: Nëse dëbohen nga autoritetet britanike me fluturimet drejt Tiranës, ndalimi rritet në 2 vite.
Pasaporta të falsifikuara: Kush kapet duke hyrë me dokumente të falsifikuara, përballet me ndalim prej 10 vitesh.
Modeli danez dhe rishikimi i statusit të refugjatëve
Britania synon të ndjekë modelin e Danimarkës, duke hequr konceptin e statusit të përhershëm të refugjatit. Statusi i tyre do të jetë i përkohshëm dhe i rishikueshëm; sapo vendi i origjinës të shpallet i sigurt, personat do të mund të riatdhesohen.
Klimë e ashpër politike ndaj emigrantëve
Numrat e azilkërkuesve dhe emigracionit ilegal janë rritur ndjeshëm vitet e fundit, duke nxitur një retorikë shumë më të fortë politike. Qeveria britanike ka deklaruar se “kriza e kufirit është jashtë kontrollit” dhe se masat e reja synojnë të dërgojnë mesazh të qartë se vendi nuk do të tolerojë më abuzimet.
Efekte në vendimet e gjykatave
Klima e re pritet të ndikojë edhe në vendimet gjyqësore. Së fundmi, një gjykatës britanik i ka kërkuar një shtetaseje shqiptare të ekstradohet dhe të vuajë dënimin në Shqipëri, duke theksuar se Mbretëria e Bashkuar “nuk është vend për t’u fshehur”. Ndërkohë, në raste të tjera më të rënda, si dënimet për krime të rënda, ekstradimet nuk janë lejuar nga gjykatat e larta.
