Londra pranon të paguajë 2.2 milionë sterlina dëmshpërblim për viktimën


Qeveria e Britanisë së Madhe pranoi të paguajë 2.2 milionë sterlina për një disident të Libisë dhe familjen e tij, i cili thonë se MI6 ishte përfshirë në arrestimin e tyre të paligjshëm. Sami al-Saadi dhe familja e tij u transferuan me forcë te Libia e kolonel Muamar Gadafit në vitin 2004. Avokatët e tyre thanë se pagesa nga Britania u jep fund veprimeve ligjore të familjes ndaj këtij shteti, në një rast ku ato argumentuan se ndihma e shërbimeve sekrete britanike të njohura si MI6, ishte thelbësore. Britania përballet me një kërkesë të ngjashme nga një tjetër libian.


Al-Saadi ishte një kundërshtar i Gadafit dhe thotë se është detyruar të hipë në një avion në Hong-Kong bashkë me bashkëshorten dhe katër fëmijët, në një operacion të përbashkët të SHBA-së, Britanisë dhe Libisë. Familja u dërgua në Libi, ku al-Saadi u arrestua dhe u torturua.


Akuzat për Britaninë u ngritën kur kolonel Gadafi u rrëzua dhe disa dokumente u zbuluan në lidhje me ngjarjen. Dokumentet u gjetën në zyrën e kryespiunit të Gadafit dhe në to thuhej se Britania e Madhe ndihmoi në organizimin e pengmarrjes.


Në një deklaratë të lëshuar në emër të tij, al-Saadi tha se po e pranonte kompromisin e ofruar nga Londra, për shkak se familja e tij “kishte vuajtur shumë”.


Duke iu përgjigjur pyetjes se pse pranoi të paguhej në këmbim të mosvijimit të aksionit ligjor, ai tha: “Fëmijët e mi do të kenë tashmë mundësi të plotësojnë arsimimin e tyre në një Libi të re e të lirë dhe unë do të jem në gjendje të paguaj kujdesin shëndetësor për të cilin kam nevojë, për shkak të vuajtjeve të burgut”.


“Unë e nisa procesin duke besuar se një gjyq britanik do të zbulonte të vërtetën në rastin tim. Por sot, me qeverinë që përpiqet të zhvillojë një gjyq në sekret, ndiej se procesi nuk është zgjidhja më e mirë për familjen time. Kam kaluar përmes një gjykimi sekret më herët, në Libinë e Gadafit. Në shumë mënyra, ky lloj gjykimi ishte po aq i keq sa edhe tortura. Nuk është një eksperiencë që dëshiroj ta përsëris. Edhe sot, qeveria e Britanisë nuk i është përgjigjur kurrë pyetjes më të thjeshtë: a ishte e përzier në operacionin për pengmarrjen time, të gruas sime dhe të fëmijëve të mi?”


Në një deklaratë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Britanisë tha: “Mund të konfirmojmë se qeveria dhe mbrojtësit e tjerë kanë arritur një marrëveshje me pretenduesit. Nuk ka pranim të përgjegjësisë dhe as ndonjë gjykatë nuk ka zbuluar përgjegjësi.”


Sapna Malik, një avokat i familjes, tha: “Tashmë është përfunduar një pjesë e drejtësisë, por duhet që gjykatat penale të Britanisë të kryejnë pjesën tjetër dhe të gjejnë përgjegjësit për pengmarrjen.”