Pesë personat e akuzuar si terroristë do të dalin para gjykatës në Amerikë
Pesë persona të dyshuar si terroristë u ekstraduan në Shtetet e Bashkuara nga Britania, mes tyre kleriku mysliman Abu Hamza al-Masri.
Abu Hamza dhe bashkëpunëtorët e tij Babar Ahmad, Syed Talha Ahsan, Adel Abdul Bary dhe Khaled al-Fawaz nuk arritën të paraqisnin argumente bindës kundër ekstradimit. Apeli i tyre në Gjykatën e Lartë u bë pasi Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut mbështeti më herët vendimin e gjykatave të tjera britanike për ekstradimin e tyre. Ata mbërritën me dy avionë dhe pritet të dalin para një gjykate amerikane brenda 24 orëve. Policia ka marrë al-Masrin nga një burg i sigurisë së lartë në pjesën qendrore të Anglisë, për t’iu dorëzuar autoriteteve amerikane së bashku me katër terroristë të tjerë të dyshuar. Ata u nisën nga Britania e Madhe për në Shtetet e Bashkuara, nga një bazë e Forcës Ajrore Mbretërore dje vonë, pasi Gjykata e Lartë e Britanisë hodhi poshtë apelimet e minutës së fundit nga Hamza dhe të tjerët. Që të pestë të dyshuarit kishin ngritur pretendime për të drejtat e njeriut dhe kushtet në burgjet e Shteteve të Bashkuara. Tashmë dërgimi i klerikut radikal dhe bashkëpunëtorëve të tij në Shtetet e Bashkuara nuk mund të pengohej më, duke qenë se beteja e gjatë ligjore konsiderohet e mbyllur. Të pandehurit nuk kanë se ku ta apelojnë më çështjen. Ata pretendojnë se do të përballen me trajtime çnjerëzore, nëse dërgohen në Shtetet e Bashkuara. Duke hedhur poshtë apelimin e tyre, gjykata britanike u shpreh se ka pasur një interesim të madh nga publiku për ekstradimin e tyre. Hamza kërkohet në Shtetet e Bashkuara i akuzuar mes të tjerash për ngritjen e një kampi stërvitjesh për terroristët në shtetin e Oregonit. Ai akuzohet gjithashtu se ka ndihmuar në rrëmbimin e 16 pengjeve, duke përfshirë edhe dy amerikanë, në Jemen në vitin 1998. Katër njerëz humbën jetën gjatë atij incidenti.