Një operacion i madh i Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA) në Britaninë e Madhe ka shkatërruar disa “shtëpi bari” në Birmingham dhe Dudley, duke sekuestruar drogë, para cash dhe duke arrestuar gjashtë persona, mes tyre edhe shqiptarë.
Në një banesë në Corser Street, Dudley, policia gjeti afro 80 bimë kanabisi, me një vlerë rreth 80 mijë paund.
Në Birmingham, në Cornbrook Road, u ndalua një 34-vjeçar shqiptar, ndërsa një 29-vjeçare dhe një 21-vjeçar u arrestuan për shkelje të ligjit të emigracionit. Gjatë kontrollit u sekuestruan 50 mijë paund cash dhe 20 kilogramë kanabis.
Në Fountain Road, policia arrestoi një 31-vjeçar, i dyshuar për kultivim kanabisi, shpërndarje narkotikësh dhe pastrim parash, i cili dyshohet se kishte lidhje me shqiptarin e arrestuar më parë.
Goditja më e fortë erdhi në Warstone Lane, ku u gjetën 2 kilogramë kokainë, ndërsa dy të rinj 23 dhe 25 vjeç u arrestuan për posedim dhe shitje të drogës së klasit A.
NCA njoftoi se shpesh kultivimi i kanabisit lidhet ngushtë me emigracionin e paligjshëm, ku persona të huaj shfrytëzohen dhe detyrohen të punojnë për të shlyer borxhet e udhëtimit.
Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me Policinë e West Midlands dhe Njësinë për Luftën kundër Kanabisit.