Lirie Delishi, një 25-vjeçare shqiptare dhe nënë e tre fëmijëve, mes të cilëve një foshnjë, është rasti i parë që një grua ekstradohet nga Britania e Madhe për të vuajtur dënimin në Shqipëri. Ajo do të dërgohet në burgun e grave në Pogradec për të vuajtur një dënim prej katër muajsh, pasi u shpall fajtore për përdorimin e një pasaporte të falsifikuar rumune gjatë një tentative udhëtimi nga Tirana në Romë në vitin 2019.
Gjykatësi britanik John Zani miratoi ekstradimin e Delishit, duke argumentuar se ishte më e rëndësishme që Britania të respektonte detyrimet ndërkombëtare për ekstradim, sesa kërkesat e saj për të mbrojtur të drejtat e familjes. Delishi, e cila ishte shtatzënë me fëmijën e tretë, shprehu shqetësimin e saj për ndarjen nga fëmijët dhe bashkëshortin, Edmond, i cili do të duhej të mbyllte një nga bizneset e tij për të u kujdesur për fëmijët.
Partneri i saj, Edmond, i cili zotëron dy biznese në Mbretërinë e Bashkuar, një kompani ndërtimi dhe një lavazh makinash, paralajmëroi se ekstradimi mund të kishte ndikim të rëndë edhe tek punonjësit e tij, duke e përkeqësuar situatën familjare dhe financiare. Ai po ashtu e konsideron si një ngjarje të tmerrshme ndarjen nga foshnja, e cila do të mbetej pa kujdesin e nënës.
Gjykatësi Zani, megjithatë, hodhi poshtë apelimin e Delishit, duke theksuar se vështirësitë familjare nuk mund të justifikonin anulimin e ekstradimit. Ai nënvizoi se kërkesat e Delishit për mbrojtjen e jetës familjare nuk ishin të mjaftueshme për të bllokuar dërgimin e saj në Shqipëri.
Nëse Delishi humbet apelimin e mundshëm, ajo do të vuajë dënimin në burgun Pojska, një institucion i vetëm për gra në Shqipëri, ku mund të qëndrojë edhe me foshnjën e saj. Pojska ka një kapacitet prej 110 personash dhe është një nga burgjet më të siguruara për gratë në vend.
Lirie Delishi ka përfunduar studimet për inxhinieri kompjuterike në Shqipëri në vitin 2019 dhe ka lëvizur në Britani për të jetuar me partnerin e saj.
