BrryliNëse deri dje hapësira pranë kryqëzimit të Brrylit ishte një treg i rrobave të përdorura, sot ajo ka ndryshuar. Largimi i tregtarëve dhe lirimi i hapësirës i ka dhënë mundësi Bashkisë së Tiranës që të gdhendë me germa të mëdha emrin e lagjes, “Brryli”. Gjithashtu, ajo pjesë që ishte thjesht një rrugë e pashtruar edhe kthyer në një hapësirë të gjelbër dhe park publik për të gjithë qytetarët. Në rrjetet sociale, kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, shkruan se Brryli nuk është në adresarin e Tiranës, por toponim i zonës apo lagjes. Kryebashkiaku Veliaj ka premtuar lirimin e të gjitha hapësirave publike dhe kthimin e tyre në funksion dhe shërbim të qytetarëve. Tre javë më parë, bashkia largoi tregtarët e rrobave të përdorura në këtë zonë dhe më në fund zona u kthye në një hapësirë të këndshme. “Nuk do shiten më rroba të përdorura në sheshin e Brrylit, por park për një nga lagjet më të njohura. Po lirojmë sheshet siç premtuam, na ndihmoni t’i mbajmë pastër ju lutem”, ka qenë postimi i kreut të bashkisë.