Pas përfundimit të konferencës së kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, kryeministri Edi Rama ka reaguar me një postim ironik në rrjetet sociale. Pa e përmendur drejtpërdrejt Berishën, Rama ka përdorur metaforën e “bufit të kënetës”, një etiketim që ai ka përdorur shpesh për liderin e opozitës.
Në mesazhin e tij, kryeministri e përshkroi këtë shpend si një “plaçkitës folesh” që jo vetëm helmatis brejtësit, por edhe veten, duke grumbulluar pesticide dhe helme. Ai e cilësoi gjithashtu si një specie armiqësore, që ushqehet me zvarranikë dhe amfibë.
Ky reagim vjen në një moment kur përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës janë intensifikuar, me Berishën që ka akuzuar qeverinë për korrupsion dhe abuzime, ndërsa Rama vijon të ironizojë kundërshtarin e tij politik.
“BUFI I KËNETËS është një plaçkitës folesh, i cili konsiderohet një rrezik edhe për shpendët shtëpiakë. Ai jeton mes zvarranikëve dhe amfibëve, me të cilët shuan edhe urinë. Trupi i tij grumbullon pesticidet dhe helmet kundër brejtësve, çka e bën helmues atë vetë. Konsiderohet edhe një specie shumë armiqësore ndaj diversitetit”, shkroi Rama.