Protesta e sotme është përshkallëzuar në përplasje të forta mes policisë dhe protestuesve, ndërsa situata në terren paraqitet tejet e tensionuar.

Teksa efektivët po përpiqen të avancojnë për të zmbrapsur turmën, ata po hasin vështirësi për shkak të rezistencës së protestuesve. Gjatë përparimit të policisë, në drejtim të efektivëve janë hedhur molotovë, ndërsa dy efektivë të forcave “Shqiponja” janë përfshirë për pak çaste nga flakët. Fatmirësisht, zjarri është shuar në një kohë të shkurtër.

Ndërkohë, pamjet nga vendngjarja tregojnë edhe efektivë të tjerë të lënduar. Dy prej tyre shihen duke çaluar, pasi dyshohet se janë goditur me gurë nga protestuesit, ndërsa një tjetër është parë me gjak në trup.

Nga përplasjet e dhunshme raportohet për disa efektivë policie të plagosur, ndërsa situata vijon të mbetet e tensionuar.