Mijëra qytetarë kanë ndezur blicet e telefonëve gjatë protestës së zhvilluar në bulevardin përpara Kryeministrisë, duke krijuar një panoramë të veçantë mes flamujve kombëtarë, pankartave dhe thirrjeve politike.
Atmosfera e tubimit u shoqërua me slogane të forta kundër klasës politike dhe institucioneve, ndërsa protestuesit përsëritën kërkesat e tyre për ndryshim politik dhe largimin e qeverisë.
“Revolucion!” dhe “Armiku është në Parlament!”, ishin ndër thirrjet më të dëgjuara gjatë protestës, e cila vijon prej disa ditësh në kundërshtim të projektit në Zvërnec dhe politikave të qeverisë.
Mes brohoritjeve, një prej protestuesve iu drejtua kryeministrit me fjalët: “Rama, ne ta grisim kontratën!”, duke nënvizuar kundërshtimin ndaj projektit dhe kërkesën për anulimin e tij.
Organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë deklaruar se mobilizimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, duke këmbëngulur në kërkesat e tyre për ndryshim dhe përgjegjësi politike.
